Sezoni i kaluar për Apoloninë nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa ata nuk arritën dot objektivin. Pjesë e rëndësishme e këtij grupi kanë qenë edhe dy futbollistët shkodranë, Serjan Repaj dhe Erald Maksuti, për të cilët tashmë ka interesim nga ekipe të Abissnet Superiore.
Dyshja e shkodranëve janë në kontratë me Apoloninë, por një kalim në Superiore mund t’i “tundojë” ata. Repaj dhe Maksuti ishin pjesë e rëndësishme e Apolonisë sezonin e kaluar, teksa bënë paraqitje të mira në vitin e shkuar dhe interesimi për ta ka nisur prej kohësh e në këtë mënyrë, në drejtim të tyre kanë mbërritur oferta nga skuadra të Abissnet Superiore.
Nga sa mësohet, interesimi ka qenë konkret për këta dy futbollistë, por për momentin emrat mbeten anonim. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, vetë futbollistët dhe drejtuesit e klubit duhet që të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi ata kanë një kontratë bashkëpunimi me ekipin e Apolonisë.
Zgjidhja e saj nuk pritet të jetë tërësisht e thjeshtë për dy futbollistët, nisur edhe nga rëndësia që kanë ata në ekipin fierak. Për largimin e tyre, me shumë gjasa, pavarësisht interesimit, ata nuk do të lihen të lirë nga drejtuesit e klubit pa paguar një shumë jo të vogël parash në arkën e Apolonisë për të blerë kartonët e tyre.
Maringlen ZHIVANI