Barcelona mposhti Borussia Dortmundin me rezultat 4-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe la përshtypjen e një skuadre që mund të arrijë në finale pa probleme të mëdha. Megjithatë, ish futbollisti kroat Zvonimir Boban beson se katalanasit janë në rrezik serioz tashmë në gjysmëfinale – nëse kundërshtari i tyre është Interi. 

Duke u shfaqur në Sky Sport të Italisë, Boban ka komentuar fitoren e Barcelonës, por gjithashtu ka theksuar se ndeshja kundër Interit do të dukej krejtësisht ndryshe.  “Nëse Interi do të kishte luajtur në Montjuic në vend të Dortmundit, ata do të kishin shënuar të paktën tre gola”. 

“E shoh qartë këtë për shkak të mënyrës se si Inter luan dhe përdor hapësirën”, deklaroi Boban për Sky Sport.  Skuadra e Simone Inzaghit njihet për transformimin e shpejtë dhe ndëshkimin e gabimeve të kundërshtarëve. Këtë e treguan italianët një natë më parë kur në ndeshjen e parë mundën Bayern Munichun me rezultat 2-1. 

“Unë mendoj se Interi mund t’i bëjë shumë dëm Barcelonës. Ata do të shënonin dy ose tre gola në atë lojë. Ndoshta Barca do të shënonte gjithashtu tre, por Interi do të kishte një furnizim të madh për të luftuar”, deklaroi Boban.  

Ai paralajmëroi gjithashtu se Barcelona, me një stil të tillë loje, nuk do të shkonte mirë kundër një Interi si ky: “Nëse të dyja skuadrat kalojnë dhe Barca vazhdon të luajë në mënyrë sulmuese, Interi mund të bëjë shumë dëme. Nëse ata lënë kaq shumë hapësirë, Interi mund të jetë shumë i fuqishëm në atë segment”. 

Së fundi, ai shtoi se beson se Hansi Flick do të ndryshonte qasjen e tij në rastin e gjysmëfinales kundër Interit.  “Unë mendoj se, nëse ata takohen realisht, Barça do të jetë shumë më e kujdesshme dhe do të mbrohet ndryshe nga Borussia Dortmund”, përfundoi Boban. /Telegrafi/