Gjysma e Serie A është hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e Marash Kumbullës. Ylli i kombëtares sonë ka arritur të shndërrohet në një “fenomen” vetëm në sezonin e parë të tij në elitën e futbollit europian dhe kërkesat drejt mbrojtësit dhe Veronës janë në seri.
Së fundmi Reali i Madridit e ka në listën e dëshirave, teksa Interi flitet se është klubi më pranë tij. Por tashmë zikaltërit duhet të shqetësohen sepse në garë për 20-vjeçarin ka hyrë Juventusi. Bardhezinjtë janë ekspertë në merkato dhe prej thuajse një dekade kanë arritur të marrin më të mirët e Serie A.
Deri më tani ata nuk kishin dhënë asnjë sinal në lidhje me interesin ndaj Kumbullës, por mediet italiane e kanë zbuluar se Paratiçi e Nedved e kanë shtuar në listën e dëshirave.
Çmimi i djaloshit me origjinë nga Shkodra është më se i përballueshëm për “Zonjën” dhe mbetet vetëm bindja e Kumbullës. Në Torino i riu do të bashkohej me idhullin dhe një profesor si Xhorxho Kielini. /vipsport/