Stefano Pioli praktikisht është trajneri i ri i Milanit. Mëngjesin e së martës, Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini i kanë treguar projektin ish-trajnerit të Fiorentinës, i cili e ka pëlqyer.
Pritet që në orët në vazhdim të firmoset kontrata 2-vjeçare, me 1,5 milionë euro në sezon. Pritet gjithashtu edhe komunikata e Milanit për shkarkimin e Marco Giampaolo.
Këtë lajm, tifozët kuqezi nuk e kanë pritur aspak mirë dhe në Twitter qarkullon hashtag-u #Pioliout ende pa nisur punën trajneri i ri. Tifozët e mbajnë mend shumë mirë një intervistë të këtij trajneri në vitin 2016, kur ishte në stolin e Interit: “Në familjen time jemi të gjithë interistë. Profesioni më ka çuar në shumë vende, por feja ime mbetet Interi”.
Tifozët e Milanit preferonin Luciano Spallettin, i cili nuk gjeti dot marrëveshjen me Interin, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2021.