Kthimi i ndeshjeve të 1/8 finale në Ligën e Kampionëve ka eliminuar nga ky kompeticion edhe Atletico Madridin, duke e ulur në tre numrin e ekipeve që janë ende në garë për katër trofe (ose ‘poker’ sezonal, siç mund të quhet). Kjo do të thotë se tri skuadra e kanë ende mundësinë për të ngritur në të njëjtin sezon trofetë e kampionatit dhe kupës kombëtare, plus Ligën e Kampionëve dhe të sapoformuarin Botëror për Klube.

Saktësisht, tri ekipet që ëndërrojnë për një fundsezoni befasues janë Interi, Real Madridi dhe PSG. Ato mund të synojnë katër trofe dhe të barazojnë rekordin e Celtic në sezonin 1966/67, i cili, padyshim, ishte i formuar pak ndryshe. Asokohe nuk ekzistonte Kupa e Botës për Klube, ndaj kishin fituar kampionatin dhe kupën e Skocisë, kupën e ligës skoceze (që luhej në disa shtete, përfshirë Anglinë dhe Portugalinë) dhe Kupën e Kampionëve (duke mundur në finale pikërisht Interin).

Interi ka përpara një sfidë të vështirë në Serie A, me Napolin dhe Atalantën që do të luftojnë për ta penguar Simone Inzaghin që të fitojë një tjetër titull pas yllit të dytë të vitit të kaluar. Në Kupën e Italisë, zikaltrit do të ndeshen me Milanin në gjysmëfinalen e dyfishtë.

Detyra bëhet edhe më e vështirë nga rekordi i keq në derbet e Madoninës këtë sezon (një barazim dhe dy humbje), ndërsa finalja teorikisht do të jetë më e lehtë me njërën nga skuadrat e Bologna dhe Empoli. Në Ligën e Kampionëve, në çerekfinale, pengesa quhet Bayern Munich, në formë të shkëlqyer, ndërsa më tutje mund të haset Barça dhe Real Madridi.

Për sa i përket Kupës së Botës për Klube, çdo diskutim është i parakohshëm. Teorikisht drejt finales, zikaltrit mund të ndeshen me Borussia Dortmundin, Manchester City, Juventusin ose Real Madridin.

Edhe për Real Madridin, La Liga është një garë mes tri ekipeve, me Barcelonën (momentalisht të parën) dhe Atletico Madridin. Rivalët mund të riprodhojnë çerekfinalet e Ligës së Kampionëve edhe në Kupën e Mbretit, nëse “Los Blancos” do të eliminojnë Real Sociedadin, ndërsa “Colchoneros” mundin Barçën pas barazimit 4-4 në ndeshjen e parë.

Në Ligën e Kampionëve, në çerekfinale do të përballen me Arsenalin dhe, nëse kalojnë, mund të ndeshen me njërin nga PSG dhe Aston Villa, para finales, ku mund të gjejnë Interin, Bayern Munich, Barçën ose Borussia Dortmund. Po ashtu, në Kupën e Botës për Klube, gjithçka do të varet nga pozita në të cilën e mbyllin grupin e parë.

PSG është ekipi i vetëm nga këto të tre që ndodhet në një pozicion të qetë si në kampionat, ashtu edhe në kupën kombëtare. Në Ligue 1 parizienët janë të parët me 16 pikë avantazh ndaj Marseille. Në Kupën e Francës do të përballen me Dunkerque-n në gjysmëfinale, ndërsa në finale i pret njëri nga Cannes dhe Reims.

Në Ligën e Kampionëve do të kenë çerekfinalet ndaj Aston Villa, ndërsa më pas mund të ndeshen me Real Madridin ose Arsenalin në gjysmëfinale. Skuadra e Luis Enrique mund të sfidojë Interin, Bayern Munich, Barçën ose Borussia Dortmundin në finalen e madhe të “Allianz Arena”. Në Kupën e Botës për Klube, gjithçka është njësoj si për dy ekipet e tjera: do të varet shumë nga pozita që parizienët do të kenë në grupin e parë.

Nëse nuk do të jetë “poker”, ndoshta do të jetë “tripletë”. Këto janë vetëm disa nga ekipet që e kanë realizuar këtë synim: Ajax 1971/72, PSV Eindhoven 1987/88, Manchester United 1998/99, Barcelona 2008/09, Inter 2009/10, Bayern Munich 2012/13, Barcelona 2014/15, Bayern Munich 2019/20, Manchester City 2022/23./telesport/