Sezoni i parë, ai i kaluar, e bëri të qartë se Interi, duke zgjedhur Marcus Thuram në vend të Romelu Lukakut, kishte bërë zgjedhjen e duhur për të gjetur një partner sulmues për Lautaro Martinez. Ky sezon po shkon edhe më mirë, pasi francezi, me 14 gola, ka arritur pothuajse të njëjtin numër golash që shënoi sezonin e kaluar (15 në 46 ndeshje), por këtë herë ka ende më shumë se katër muaj sezon për të luajtur, duke përfshirë edhe Kupën e Botës për Klube.
Për këtë arsye, përveç përqendrimit tek e tashmja dhe përpjekjeve për ta rikuperuar nga dhimbja në kyçin e këmbës së majtë për ndeshjen e së dielës mbrëma ndaj Juventusit, klubi zikaltër ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen e lojtarit.
Në aspektin e kontratës, nuk ka asnjë problem, pasi skadimi i saj është i përcaktuar më 30 qershor 2028. Megjithatë, është e qartë se paraqitjet e shkëlqyera të Thuram kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, të cilat janë gjithashtu në dijeni të një klauzole largimi prej 85 milionë eurosh: një çmim “i arsyeshëm” duke pasur parasysh tregun e sotëm me shifra të çmendura.
Në fund të sezonit, Interi do të nisë bisedimet me Sport Cover, agjenci që menaxhon të drejtat e Thuram, për të rinovuar kontratën dhe për të hequr klauzolën. Në të njëjtën kohë, lojtari pritet të shpërblehet për performancat e tij dhe diskutimet do të përfshijnë edhe një rritje page. Aktualisht, Thuram fiton 6 milionë euro në vit, por oferta mund të arrijë deri në 9 milionë euro, duke përfituar nga Dekreti i Rritjes që mund të zbatohet për të.
Megjithëse Oaktree, fondi që kontrollon Interin, ka objektiv uljen e kostove të skuadrës, një Thuram në këtë formë e justifikon një sakrificë të tillë.