Kryendeshja e javës së parë të fazës së dytë të kampionatit të 15 vjeçarë, ka vënë përballë njëra- tjetrës dy prej ekipeve më të mira të tij, pikërisht Vllaznnë dhe Internacionalin. Ata vinin në këtë sfidë të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” me pikë të barabarta, nga 24 dhe kuptohet që dëshira e të dy palëve ka qenë e madhe për ta fituar këtë përballje dhe për të vijuar të vetëm kryesimin e renditjes.
Por në fakt, këtë të drejtë në fund të takimit e ka merituar ekipi mik i Internacionalit që ka zhvilluar një lojë shumë të mirë duke fituar me meritë me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja është ndjekur me interes nga një numër i madh tifozësh të cilët në fakt kanë parë një luftë të fortë sportive në mes dy ekipeve.
Vllaznia U15 e nisi më mirë atë, krijoi dy-tre momente të rrezikshme në portën kundërshtare gjatë minutave të para por pa arritur dot tek goli. Atë që së bënë shkodranët, e realizuan miqtë. Në minutën e 19-të ata kanë kaluar në avantazh me anë të futbollistit Gjergji dhe ky gol padyshim që ka ndikuar për keq tek kuqeblutë që nuk arritën dot të reagojnë.
Për rrjedhojë, Internacionali pak minuta më vonë do të shënonte edhe golin e dytë me anë të sulmuesit Gui dhe pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 2-0 për miqtë. Në të dytën gjërat ndryshojnë disi për ekipin shkodran pas aktivizimit të Qokthit por sërish skuadra nuk funksionon duke mos qenë në një ditë të mirë.
Kanë përfituar sërish futbollistët e Internacional që kanë shënuar edhe golin e tretë sërish me anë të sulmuesit Guci dhe këtu mbyllet gjithçka. Internacional fitoi 3-0 dhe kjo ndeshje i tregoi Vllaznisë se kampionati është më i vështirë nga sa e kishte menduar.