Anselma Xhaji është zgjedhur sportistja më e mirë e taekwondo në turneun ndërkombëtar të Prishtinës, pak ditë më parë. Xhaji u shpreh se nuk e priste të dilte si më e mira e këtij turneu, megjithatë theksoi se falë mbështetjes së trajnerit Elion Puka dhe familjes së saj, ajo ia doli.

Në një prononcim për “RTSH Shkodra”, 14-vjeçarja flet edhe për objektivat në të ardhmen, ku primare janë kampionati kombëtar dhe turneu i rradhës në Mal të Zi, aty ku Xhaji synon të dalë fituese.

“Kampione e prisja që të dilja, por që të fitoja Kupën si sportistja më e mirë të them të drejtën jo. Në ndeshjen time finale, u ballafaqova me një sportiste të ekipit të Kosovës.

Ishte e nivelit mesatar. Fitoren e pata pak të vështirë, sepse ishte një nivel i lartë. Profesor Elion Puka është një trajner që na motivon dhe na ka mundësuar për të shkuar në çdo kampionat, që të fitojmë çmime të tilla.

Normalisht që, jam e kënaqur, që jam në këtë sport. Fillimisht, familja ka qenë shumë e surprizuar, por më pas më kanë mbështetur.

Edhe në shkollë, pas këtij suksesi, më pritën me shumë përgëzime. Tek kampionati kombëtar dhe tek turneu në Mal të Zi, synoj të dal fituese”,-mbylli prononcimin e saj, sportistja e Vllaznisë në taekwondo, Anselma Xhaji.
Maringlen ZHIVANI