“Intersig Vienna Insurance Group” do te jetë edhe në sezonin e ri sponsor zyrtar i KF Vllaznia, ashtu siç ka qenë edhe në tre vite të mëparshme. Një gjë e tillë është bërë publike pak ditë më parë nga ana e vetë klubit shkodran, por ndërkohë për të mësuar diçka më shumë në lidhje me këtë sponsorizim, gazeta “Shkodra Sport” ka intervistuar z. Arben Maliqi, drejtor i kësaj kompanie në Degën Shkodër. Për më shumë lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë:


– z. Maliqi tashmë është bërë e ditur se Kompania e Sigurimeve “INTERSIG Vienna Insurance Group” do jetë përsëri sponsor zyrtar i KF Vllaznia. Duket se ky bashkëpunim i nisur prej pak vitesh po shkon ashtu si duhet, apo jo?

Ky është viti i katërt që “INTERSIG-Vienna Insurance Group” sponsorizon KF Vllaznia. INTERSIG për 20 vjet me rradhë renditet si kompania e parë në tregun e sigurimeve në Shkodër dhe sponsoriziminet i konsiderojmë si shërbim ndaj komunitetit që na ka respektuar. Në këtë periudhë bashkëpunimi mes nesh, Vllaznia ka fituar 2 Kupa të Shqipërisë dhe urojmë që ta pasurojë edhe më tej inventarin e trofeve.
INTERSIGsi Sponsor Zyrtar është i kënaqur që është partner në këtë sukses duke hyrë bashkë me Vllazninë në historinë e futbollit. Magjia e tij përjetohet më shumë se kudo në Shkodër prandaj INTERSIG do jetë afër Vllaznisë sepse siç duket jemi sponsor fatsjellës…(qesh)


– Si tifoz dhe partner i Vllaznisë çfarë prisni nga Vllaznia këtë sezon?

Personalisht si tifoz pëlqej që skuadra të fitojë me lojë të bukur. Ne sot shohim futboll çdo ditë dhe nuk të shijon një rezultat pa lojë. Kam nostalgji për lojën e Vllaznisë në sezonin 2021-2022, të atij ekipi që na emocionoi aq shumë me lojë të bukur e sulmuese, që fitoi Kupën por për fat të keq humbi kampionatin me golevarazh. Ndodh shumë rrallë që në një qytet të festohet çdo ndeshje futbolli deri në fund të sezonit. Shpresoj që me rikthimin e Brdariç, Vllaznia të kthehet tek loja e bukur që në të vërtetë ka munguar pas largimit të tij. Ai është një trajner fitues që aplikon shkollën gjermane të futbollit, me disiplinë taktike dhe presing lart në sulm, një stil loje që i përshtatet lojës tradicionale që Vllaznia ka në ADN-në e saj. Pres një Vllazni të bukur në fushë ashtu siç i ka hije emrit të saj të madh. Është kënaqësi që si tifoz dhe si partner t’i japim të gjithë mbështetjen tonë Vllaznisë.

– Ju keni qenë edhe drejtor i Akademisë Vllaznia, si e shihni organizimin e ekipit këtë vit?

Vllaznia sivjet ka një organikë lojtarësh me eksperiencë, të miksuar me të rinjtë e Akademisë. Duket se strategjia ka ndryshuar duke menduar edhe për të ardhmen e klubit. Një ekip ka nevojë për entuziazmin e të rinjve dhe për energjinë e tyre pozitive. Besoj që tek Vllaznia ka lojtarë të rinj qe mund të luajnë shumë mirë në Superligë dhe të jenë objekt i merkatos për të ardhmen. Shembulli më i mirë i organizimit është Spanja fituese e Europianit, që afirmoi lojtarë të rinj duke garantuar vazhdimësinë me një brez të ri fitues, ndërkohë që ekipe të tjera europiane po detyrohen të ndërrojnë brezin e lojtarëve.


– Çfarë duhet të bëjë Vllaznia që të fitoje titulin kampion këtë sezon?

Vllaznia do fitojë titullin kampion nëse krijohet fryma e duhur në ekip dhe bindja në mes lojtarëve që ata janë një familje si në lojë dhe në stol. Duhet të hiqet ideja e lojtarit të përhershëm në formacion edhe kur ai nuk luan mirë. Në futboll nuk ka lidhje mosha apo gradat, por efektiviteti në ndeshje për 90 minuta. Individualizmi e ka penalizuar Vllazninë në objektivat e saj këto vitet e fundit, nga lojtarë që donin të marketonin veten e vet. Ekipi duhet të ketë një frymëmarrje në lojë e në stol dhe një komandë të vetme që është trajneri. Kampion del një ekip që ka grup te bashkuar e bën lojë kolektive. Shpresojmë të jetë sivjet ora dhe momenti i Vllaznisë.


– Së fundi, të ndalemi tek ndeshja e kthimit ndaj Valur. Sa shanse ka Vllaznia që të kualifikohet?

Besoj shumë tek kualifikimi nisur nga ajo që u pa në ndeshjen e parë, ku Vllaznia tregoi se ka më shumë cilësi se Valur, madje edhe kur mbeti me 10 lojtarë. Ekipi duhet të kualifikohet me çdo kusht, me vuajtje apo pa vuajtje, pasi i gjithë qyteti është me sy e veshë nga Stadiumi ‘Loro Boriçi”.
Nuk ka askund qytet tjetër që i ka dhënë skuadrës së vet atribute hyjnore- “Vllaznia-Perëndia”. Ky është dedikimi më kuptimplotë që tregon ndjeshmërinë dhe përjetimin që ka Shkodra për futbollin.


– z. Maliqi faleminderit për intervistën…

Faleminderit juve!