Mban shiritin e kapitenit, mundohet të japë gjithnjë më të mirën me lojën por edhe me golat që shënon ndonëse është një lojtar krahu dhe kjo e ka bërë të evidentohet nga të tjerët. E kemi fjalën për futbollistin Arval Maliqi.

Ai është pjesë e ekipit Vllaznia U17 dhe bashkë me shokët e ekipit po mundohen t’i bëjnë një mbyllje të mirë kampionatit, ndonëse ka qenë një sezon i vështirë për ta. Arval ka folur për gazetën “Shkodra Sport” me gazetaren Fabiola Caka duke rrëfyer hapat e deritanishëm të karrierës së tij, por edhe për ëndrrat e së ardhmes.


– Arval, luani si titullar për ekipin Vllaznia U17. Si ndiheni të jeni pjesë e këtij ekipi?

Prej 8 vitesh tashmë në përbërjen e Akademisë së Vllaznisë, mendoj se të jesh pjesë e kësaj skuadre është ëndrra e çdo sportisti shkodran. Përveç kënaqësisë që të jep kjo fanelë, është njëkohësisht një përgjegjësi e madhe.

– Gjithashtu si kapiteni i skuadrës, përgjegjësia rritet. Sa i rëndësishëm është për ju mbajtja e këtij shiriti?

Të jesh kapiten i ekipit fillimisht duhet të kesh mbështetjen dhe besimin e shokëve të skuadrës. Si kapiten iu kërkoj atyre që të luajmë një për të gjithë, e të gjithë për një. Normalisht është një peshë e madhe dhe përgjegjësi të mbash këtë shirit sepse duhet të jem i pari që jep shembullin e sakrificës në ndihmë të skuadrës.


– Në ndeshjen e fundit keni fituar ndaj ekipit të Laçit. Mendoni se skuadra dha maksimumin në fushën e blertë?

Ndeshja me Laçin ishte ndeshje e fortë nga ana fizike. E dinim se do ishte e vështirë pasi ekipi i Laçit ka cilësi të mira dhe luan fort, por ekipi ynë iu pëgjigj në të njëjtën mënyrë. Një fitore totalisht e merituar nga ne pasi luajtëm të bashkuar dhe zbatuam mirë detyrat e trajnerit.

– Momentalisht Vllaznia mban vendin e 7 në renditje. Çfarë i mungon kësaj skuadre të jetë në zonën e nxehtë?

Objektivi ynë për këtë sezon ka qenë kualifikimi në play-off. Aktualisht jemi vetëm 8 pikë larg vendit të katërt, zonës së kualifikimit për play-off. Po punojmë çdo ditë që të arrijmë këtë objektiv pasi kemi bërë ndeshje shumë të mira por jemi ndëshkuar nga disa gabime.

Skuadra jonë sot është më e kompletuar se në fillim të Kampionatit. Duke parë renditjen, ne duhet të kishim arritur më shumë pikë pasi asnjë skuadër nuk na ka dominuar me lojë, prandaj na duhet më shumë përqendrim, gjë e cila na ka munguar në shumë ndeshje.


– Cili është momenti kyç që do të veçonit nga karriera juaj deri më tani?

Kam patur shumë momente të bukura gjatë karrierës sime e cila mund të them se sapo ka nisur, por ajo qe mund të veçoj është titulli kampion që kam fituar me Vllazninë në Kampionatin U15. Në këtë Kampionat jam vlerësuar si “lojtari i perspektivës”. Një vlerësim i cili më dha më shumë motivim. Veçoj finalen e vjetshme të kampionatit kombëtar U17 ku edhe pse nuk patëm fatin e fitores, mbetet një moment i veçantë në karrieren time.

Gjithashtu si lojtar i Kombëtares së Shqipërisë në moshat U15 dhe U17 janë momentet kulmore dhe të veçanta ku kam ndjerë kënaqësinë dhe përgjegjësinë e përfaqësimit të asaj fanele.

– Në cilin ekip do dëshironit të tranferoheshit në të ardhmen?

Si çdo sportist shkodran fillimisht do të dëshiroja të luaja në stadiumin “Loro Borici” si lojtar i Vllaznisë. Brenda vendit nuk e shoh veten të transferuar në ekipe të tjera. Në karrierën time në vazhdim, objektivi im është të transferohem në ekipe europiane të nivelit të lartë.
Intervistoi: Fabiola CAKA