Baldo Raineri rikthehet të flasë për futbollin shqiptar. Ish-trajneri i Vllaznisë në sezonin 2014-2015, aktualisht është i lirë pas largimit nga skuadra zviceriane e Chiasso-s.
Në një intervistë për “VIPSPORT.AL”, Raineri flet për Vllazninë, atë që ai e cilëson si “dashurinë e tij të parë shqiptare” dhe betimin që i ka bërë vetes pas largimit nga shkodranët: “Do rikthehem një ditë për të shkruar një copë të historisë së atij klubi”.
Ndër të tjera, Baldo Raineri jep mendimin e tij edhe për aventurën e Mark Iulianos te Partizani, mungesën e Tiranës në Superligë dhe për Skënderbeun. Tema e Kombëtares nuk mund të lihet pas dhe gjithashtu edhe opinioni për Christian Panucci-n që zëvendësoi De Biasi-n në stolin kuqezi.
-Mister, aktualisht jeni i lirë pas largimit nga drejtimi i skuadrës zviceriane, Chiasso?
-Po. U largova në fund të sezonit të shkuar, sepse u ndryshua kupola drejtuese e klubit. Në fakt u largova me keqardhje të madhe për atë ekip.
-Keni pasur ndonjë ofertë nga ndonjë klub kohët e fundit?
-Kam disa mundësi këtu në Zvicër. Por, dëshira ime është të drejtoj në Shqipëri së bashku me stafin tim. Më pëlqen shumë të punoj në Shqipëri. Jetoj me futbollin dhe emocionin që të fal kjo lojë. Për mua nuk ka rëndësi aspekti ekonomik, sesa ai profesional.
-E keni ndjekur kampionatin shqiptar?
-Sigurisht që po. E ndjek gjithmonë Superligën dhe jo vetëm. Kombëtaren e Shqipërisë gjithashtu. E ndjek edhe për arsye se kërkoj të jem i azhornuar me futbollin shqiptar, pasi dëshira ime është të punoj sërish aty. Futbolli në Shqipëri është në rritje.
-Ekziston dëshira për të punuar sërish në ish-klubin tuaj në të ardhmen, te Vllaznia…
-Të jem i sinqertë po. Vllaznia e para, por jam profesionist dhe e bukura e futbollit është që të çon sa në një vend në tjetrin. Ruaj respekt të lartë për të gjitha klubet shqiptare, për tifozët e të gjitha ekipeve të Superligës gjithashtu, sepse më kanë trajtuar shumë mirë gjatë kohës që drejtoja Vllazninë.
Në fakt, Vllaznia është dashuria e parë, të cilën nuk e harroj.
-Edhe nga Vllaznia jeni larguar me keqardhje të madhe…
-Po, këtë gjë e kam shprehur që në momentin e parë që u largova. Isha i trishtuar shumë, por pranova vendimin e klubit. Por, ia premtova vetes se një ditë do të kthehem te Vllaznia për të shkruar një pjesë të historisë së atij klubi.
-Në fakt, Vllaznia edhe pas largimit tuaj vijon të luftojë për mbijetesë…
-Për këtë më vjen keq, sepse e di se sa të rëndësishëm dhe të çmuar janë tifozët shkodranë, të cilët meritojnë më shumë.
-Ku qëndron problemi te Vllaznia sipas mendimit tuaj?
-Klubit i duhet dhënë një shtysë dhe duhet të kalojë në privatizim. Kam lexuar së fundmi se ka pasur një interes të një personazhi të rëndësishëm shkodran, si Valter Fushaj, i cili është gati të blejë aksionet e klubit. Ai është personi i duhur për të drejtuar Vllazninë, sepse është një njeri fitues. Kam pasur kënaqësinë ta njoh dhe të flas me të për futbollin, se si duhet të jetë drejtimi i një klubi. Më pëlqyen idetë e Valter Fushajt. Shpresoj që të bëhet më e mira për Vllazninë.
-Që pas largimit tuaj nga skuadra e Vllaznisë, a keni pasur më komunikim me drejtuesit e klubit shkodran?
-I njoh pak drejtuesit aktualë të klubit, sepse janë ndryshuar nga koha kur unë isha trajner.
Besoj se edhe tek ata kam lënë shije të mirë, si në aspektin profesional dhe në atë human.
-Të flasim pak për Skënderbeun. Si e shihni suksesin e korçarëve në Europë?
-E ndoqa Skënderbeun në ndeshjen që luajti kundër Yang Boys në Bernë. Këtu në Zvicër ku unë jetoj, më kërkuan informacione për Skënderbeun. Nuk më besuan në fillim kur iu thashë se Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë. Por, në momentin që Yang Boys u përball në dy ndeshjet e grupit, e kuptuan kualitetin e Skënderbeut dhe atë që unë kam thënë me zë të lartë se futbolli shqiptar është një rritje me hapa gjigantë.
-Ç’mendim keni për Tiranën, që këtë sezon garon në Kategorinë e Parë?
-Më vjen keq për Tiranën. Një klub me aq shumë trofe të mungojë në Superligë?! Vetëm kur mendoj për derbin kundër Partizanin më dridhet mishi për rivalitetin e asaj sfide. Por, jam i bindur se Tirana do të ngjitet në Superligë në fund të këtij sezoni dhe do të jetë atje ku historia e saj na ka mësuar ta shohim gjithmonë.
-Në fakt edhe Partizani nuk po kalon një moment të mirë. Iuliano nuk arriti të linte gjurmë si trajner në Shqipëri…
-I kam parë pothuajse të gjitha ndeshjet e Partizanit të Iuliano-s. Mendoj se disa ndeshje u vendosën nga episode të vogla. Nëse nuk gaboj, Partizani në atë periudhë kishte disa mungesa të rëndësishme në sulm. Kjo nuk është pak kur ke një organikë të cunguar. Në fakt, futbolli shqiptar nuk duhet nënvlerësuar, sepse ka konkurrencë.
-Pra po thoni se Iuliano e nënvlerësoi futbollin shqiptar?
-Jo, jo absolutisht që jo.
Po them që futbolli shqiptar kërkon shumë kujdes. Këtë e them në aspektin e faktit që duhen menaxhuar lojtarët që luajnë në role të ndryshme nga ato natyrale.
-Mendoni se Partizani gaboi në merkato, ndoshta me Çanin apo me lojtarët që erdhën nga Seria B ose C e Italisë?
-Nuk besoj. Nëse kanë bërë ato zgjedhje, i kanë bërë duke menduar se kanë qenë të duhurit për t’u afruar në ekip.
-Po, por tashmë disa prej tyre janë larguar…
-Këtë nuk e di, por e përsëris se, Partizani është një klub i madh me një president korekt, i cili do ta ringrejë skuadrën drejt kreut të klasifikimit.
-Po për Luciano Moggi-n, çfarë mendimi keni?
–Mendoj se është një ikonë e futbollit. Të gjithë kanë rrugëtuar me të e më pas e kanë braktisur. Mendoj se ka paguar shtrenjtë për të gjithë sistemin. Tani meriton vetëm respekt dhe të lihet i qetë.
-Ç’mendim keni për kombëtaren e Shqipërisë?
-Jam i dashuruar me të. Për këtë ekip do të flitet shumë, keni për të parë. Më pas të gjithë do të thonë se e dinim se do të ndodhte kështu, edhe pse jo të gjithë mendojnë kështu si unë.
Është një kombëtare me të rinj të talentuar.
-Si ju duket Panucci në krye të stolit të kombëtares së Shqipërisë?
-Nuk e njoh si trajner, nuk i njoh metodat e tij. E ndiqja si specialist futbolli në TV dhe dukej që kishte ide të qarta. Panucci është edhe shefi im, ashtu si i trajnerëve të tjerë që marrin pjesë në sektorin e trajnerëve shqiptarë të lincecuar në UEFA Pro për Federatën e Futbollit të Shqipërisë.
-Cili është trajneri shqiptar i preferuar nga ana juaj, ose miku juaj më i ngushtë prej tyre?
-Jam shumë i lidhur me të gjithë kolegët e mi, që më kanë bërë të ndihem si i shtëpisë. I vlerësoj, sepse i kam pasur edhe kundërshtarë të denjë kur drejtoja Vllazninë. Miku im më i mirë është Samuel Nikaj, i cili po bën një sezon shumë të mirë me Kastriotin në Kategorinë e Parë. /VIPSPORT.AL