Federata shqiptare e futbollit ditën e djeshme ka shpërndarë edhe licensat e rradhës të Uefa B për pjesëmarrësit në kursin e trajnerëve. Një ndër ata që është pjesë e kursit dhe që duket se do ndjekë rrugën e trajnerit në të ardhmen është Ditmar Bicaj. Lezhjani për “Shkodra Sport” flet pikërisht për këtë gjë, por edhe sezonin me Flamurtarin apo edhe ish-ekipet e tij Vllaznia dhe Partizani.

– Tashmë me licensën B, po përgatitet Bicaj për të ardhmen si trajner?

Duke parë moshën thashë të vazhdoj specializimet e trainingut. Që është një gjë tërësisht tjetër nga të qënit futbollist sepse kërkon shumë impenjim si gjatë pjesës së stërvitjes, por edhe pas saj. Fatmirësisht, sot stafet e ekipeve të Superligës janë zgjeruar shumë, çka do të thotë që edhe trajneri do jetë më i qetë në idetë që kërkon të fusë në ekip.

– Pjesë e Flamurtarit këtë sezon me disa emra të tjerë të rëndësishëm të futbollit tonë. Cili është objektivi i kësaj skuadre?

Kam ardhur tek Flamurtari në momentin më të errët të historisë. Me presidentin Idrizi kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira. Ai më paraqiti një projekt shumë ambicioz ku kërkon të ngjisë skuadrën brenda 3 vitesh në Superligë. E pranova me kënaqësi duke parë edhe emrat e tjerë që i janë bashkuar ekipit.

– Ishe në mëdyshje kur t’u bë oferta e Flamurtarit?

Normalisht që po sepse unë zotëroj një CV shumë të pasur. Por edhe Flamurtari pavarësisht kategorisë ku ndodhet është një emër i madh i futbollit tonë. Projekti, por edhe oferta me një kontratë 3-vjeçare më bënë që ta pranoja me kënaqësi ofertën.


– Po Superligën si e shikoni këtë fillim sezoni?

Superligën e shikoj pak a shumë si sezonin e fundit. Do jetë një duel mes 4 skuadrave, ku Teuten dhe Vllazninë i shoh deri në fund të kampionatit si rivale. Por edhe Laçi e Partizani kanë ndërtuar ekipe shumë të forta që mund të fitojnë trofe. Besoj se do jetë një kampionat i bukur dhe rivalizues.

– Dhe e fundit, një parashikim për ndeshjen e së dielës Partizani-Vllaznia ? Ku ti je një “ish” i të dy skuadrave?

E shikoj këtë ndeshje më tepër si një fitore të Vllaznisë. Në dekadën e fundit mund të them se Vllaznia ka qenë “macja e zezë” e Partizanit ku e ka mundur shpesh si në Shkodër e po ashtu jashtë. Mendoj se triumfojnë shkodranët.
Intervistoi: Endri ÇINARI