E ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke shënuar që në debutimin e kampionatit me skuadrën e tij të re. Fjala është për Belajdi Pusin, sulmuesin shkodran që dje ishte protagonist me ekipin e Shamakhi.

26-vjeçari ishte autor i një prej golave në barazimin 2-2 që skuadra e tij arriti kundër Sabah Baku. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai shprehet shumë i gëzuar për këtë gol, por ky start pozitiv uron që të jetë vetëm fillimi para sezonit të gjatë që është përpara.


-Pusi, urime fillimisht për golin dhe debutimin. Si ndiheni pas këtij realizimi…

Ju falenderoj për urimin dhe intervistën. Realisht jam i emocionuar sikur të kisha shënuar për herë të parë. Ishte goli i parë zyrtar me skuadrën e Shamakhi dhe uroj të jetë një nga të shumtët e këtij sezoni.


-E nisët si titullar takimin, duket se skuadra dhe trajneri kanë besim tek ju apo jo?

Po, kjo në fakt është e vërtetë sepse që ditën e parë që jam transferuar këtu e kam ndjerë besimin e tyre. Kjo ma ka bërë edhe më të lehtë ambientimin.


-Tashmë thuajse dy vite në Azerbajxhan, duket se është shndërruar në shtëpinë tuaj të dytë…

Ndihem shumë mirë në këtë kampionat. Gjithçka është serioze dhe profesioniste, ku po punohet shumë të ngrihet niveli nga viti në vit. Besoj se është një kampionat goxha i fortë dhe që të ndihmon të rritesh.


-Nuk besojmë se Pusi do ndalet me kaq apo jo?

Uroj që ky gol të jetë vetëm fillimi. Siç thonë, fillimi i mbarë është gjysma e punë. Dua të shënoj sa më shumë të mundem dhe të ndihmoj skuadrën në realizimin e objektivave.
Intervistoi: Endri ÇINARI