Nga Maringlen ZHIVANI
Që prej të mërkurës ka nisur punën në krye të skuadrës së Besëlidhjes, i bindur se me kontigjentin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion, do ia dalë për të arritur objektivin e klubit, ngjitjen në kategorinë e parë. Edmond Dalipi, një emër i njohur i futbollit shqiptar, ka zënë vendin e Dritan Smajlit në pankinën lezhjane dhe duket shumë i motivuar për të bërë mirë në këtë detyrë të re që i është ngarkuar.
Një gjë të tillë e ka shprehur edhe në një intervistë eksluzive të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” teksa ka deklaruar se kërkon një angazhim maksimal të lojtarëve dhe njëkohësisht edhe sakrifica dhe nëse ndodh kështu, çdo objektiv mund të arrihet.
Profesor Dalipi keni marrë përsipër një detyrë të re për të drejtuar Besëlidhjen. Çfarë ju bindi për ta pranuar këtë detyrë në një moment të tillë?
E para, për vetë emrin që ka Besëlidhja dhe vlerat që mbart ky klub, është disfatë që militon në këtë kategori. E pranova me kënaqësi të marrë drejtimin e kësaj skuadre sepse besoj se mund të bëj gjëra të mira me të, bashkë me pjesën tjetër të stafit dhe të lojtarëve për të arritur objektivat e klubit.
– Cilat janë objektivat dhe synimet që do të keni në punën tuaj në krye të Besëlidhjes?
Objektivat e klubit dhe te miat personale janë ngjitja e Besëlidhjes në një kategori më lart.
– Keni besim që mund t’i arrini këto objektiva me Besëlidhjen dhe grupin që keni në dispozicion?
Në çdo fushë të jetës në qoftë se nuk ke besim mos e nis fare një punë. Çdo punë ka vështirësi, por po të punohet me besim dhe me sakrifica çdo gjë arrihet.
– E nisni detyrën tuaj të re me një ndeshje të vështirë në kampionat ndaj Adriatikut. Si e shikoni, mendoni se mund ta nisni me fitore?
Kampionati i kategorisë së dytë është forcuar shumë këto vitet e fundit por ne në çdo ndeshje do të shkojmë për të marrë maksimumin pastaj është fusha e lojes ajo që tregon se kush ekip e meriton fitoren.
– Pjesë e Besëlidhjes janë edhe disa shkodranë, duke nisur nga kapiteni Klejdi Dibra e për të vijuar me futbollistë të tjerë, sa mund ta ndihmojnë ekipin tuaj profesor këta lojtarë me eksperiencë?
E para respekte për Shkodrën në përgjithësi sepse kam kaluar një vit të paharruar aty dhe në veçanti për Vllazninë dhe lojtarët që dalin nga kjo akademi. Lojtarët me përvojë që kam në ekip janë dhe do të jenë shtylla e ekipit dhe do të jenë ata dhe grupi i futbollistëve që kam të cilët do të luftojnë fort për të arritur objektivin.
– E fundit profesor për ta mbyllur, keni besim se Besëlidhja mund t’ia dalë të rikthehet në Kategorinë e Parë apo mbetet një objektiv shumë i vështirë për t’u arritur duke parë edhe rivalitetin nga ekipet e tjera?
E thashë dhe pak më lart që çdo objektiv për t’u arritur ka vështirësitë e veta, por është një fjalë popullore që çdo objektiv arrihet. Dhe në fakt nuk arrihet me fjalë, por duhet të punojmë shumë të gjithë sëbashku dhe të formojmë një grup që të gjithë të sakrifikojmë për njëri- tjetrin./www.shkodrasport.com/