Edmond Doçi është një nga trajnerët më të suksesshëm të Akademisë Vllaznia vitet e fundit. Në sezonin e kaluar, nën drejtimin e tij, Vllaznia U-17 fitoi dy trofetë më të rëndësishëm të sezonit, teksa u shpall kampione dhe fitoi edhe Kupën e Shqipërisë.
Pikërisht, kjo është edhe një ndër arsyet që drejtuesit e KF Vllaznia besuan tek Doçi sërish, duke e emëruar atë në krye të Vllaznisë U-19. Për Doçin në drejtimin e 19-vjeçarëve, primare nuk është fitimi i trofeve, por përgatitja dhe kalimi i sa më shumë futbollistëve në ekipin e parë.
Pozitive për Doçin është se në ekipin e U-19 do të ketë mundësinë të punojë me një pjesë të madhe të atyre futbollistëve që ka drejtuar sezonin e kaluar me Vllazninë U-17. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Doçi u shpreh se është shumë i kënaqur për detyrën e re, sepse për të është një vlerësim, ndërsa theksoi se si trajner shijohen më shumë sukseset se sa futbollist.
Ndërkohë, në stafin e Edmond Doçit në këtë sezon në drejtimin e Vllaznisë U-19, është edhe zv/trajneri Malvin Meçarovi dhe trajneri i portierëve, Ali Shpuza. Për më tepër, lexoni intervistën e plotë që trajneri Edmond Doçi ka dhënë për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.
Profesor, një detyrë e re këtë sezon, besoj i kënaqur dhe i lumtur të jeni në krye të U-19 apo jo?
Normalisht që jam i kënaqur, sepse është një vlerësim nga ana e klubit Vllaznia kundrejt figures time si trajner, poashtu edhe si njeri që kohën më të madhe të jetës, ia kam përkushtuar sportit të futbollit që në fëmijëri dhe deri më tani.
Ju pret përpara një kampionat i fortë dhe i vështirë, cilat do jenë synimet e Vllaznia U-19?
Këtë vit, kampionati do ketë një format tjetër, ku ne jemi të përgatitur të japim më të mirën tonë, ashtu siç është mësuar Akademia Vllaznia me të gjitha grupmoshat.
Sivjet në gjirin e këtij ekipi ka futbollistë me shumë talent, si e shikoni të ardhmen e tyre?
E bërë pyetjen shumë mirë. E rëndësishme për ne është të shohim me prioritet futbollistët që një ditë do të jenë pjesë e Vllaznisë, pse jo edhe të transferohen me ekipe jashtë vendit. Kjo është një gjë që i ka munguar klubit tonë këto vitet e fundit, por them që shpejt do ta arrijmë një gjë të tillë, sepse futbollistët janë, po stërviten dhe po ndiqen çdo ditë nga ana jonë dhe e klubit.
Profesor, sezonin e kaluar ishit shumë i suksesshëm si trajner, por për ju suksesi shijohet më shumë si futbollist apo si trajner?
Normalisht, sukseset janë të papërshkrueshme, por këto si trajner më shijuan shumë, sepse më kujtuan kohët kur luaja futboll dhe këto emocione t’i jep vetëm sporti.
Cilat janë synimet tuaja si trajner në të ardhmen profesor Doçi?
Të bëhesh trajner është diçka e vështirë, sepse është njësoj si të fillosh futbollin si fëmijë dhe pastaj të arrish tek ekipi i parë, prandaj edhe unë po mundohem të jem realist me veten dhe t’i ngjis shkallët me rradhë. Për momentin, ndihem mirë dhe i vlerësuar tek ekipi U-19.
E fundit profe, ku mund ta shohim ekipin e Vllaznia U-19 në fund të sezonit?
Nuk ka qenë asnjëherë i vendosur ndonjë objektiv kryesor nga klubi Vllaznia për fitim trofeu. Megjithatë, ajo që kanë kërkuar drejtuesit, pra klubi, është që këta fëmijë të marrin stërvitjen e duhur që kur të shkojnë tek ekipi i parë, mos të kenë mangësi dhe t’ia fillojnë nga e para, por nuk është lënë asnjëherë pas doret gara, sepse këta sportista duhet të mësohen si të arrijnë të marrin rezultate pozitive që të mësohen me menaxhimin e emocioneve, që është shumë e rëndësishme gjatë një ndeshje futbolli.
Maringlen ZHIVANI