Nga Endri ÇINARI

Basania arriti një fitore në shifrat 3-0 në javën e 4-ët të Kategorisë së Dytë kundër Gramshit. Skuadra nga Bushati mori në këtë mënyrë fitoren e parë historike në këtë ligë. Një nga protagonistët e 90 minutave ishte edhe Egzon Shimaj, me dy asiste. Për “Shkodra Sport” mesfushori ka folur për këtë sukses. Ku thekson se ishte më se i merituar dhe vëmendja tani shkon në duelet e rradhës në kampionat.

-Shimaj, më në fund një fitore e merituar apo jo?

Patjetër që po, dominuam nga fillimi në fund ndaj Gramshit. Besoj se më në fund arritëm të merrnim atë për të cilën kemi punuar prej javësh. Ndoshta fati apo edhe disa gabime tona na kanë ndëshkuar në ndeshjet e shkuara, por fatmirësisht erdhi ku sukses.


-Sa e rëndësishme ishte kjo fitore?

Ky sukses na nxorri nga një “krizë” nëse mund ta quaj kështu. Më shumë psikologjike sepse ishim të bllokuar që nuk po gjenim fitoren pavarësisht se lojërat nuk ka qenë të dobëta. Kjo fitore tregoi se kjo skuadër ka cilësi dhe di të fitojë, madje edhe bindshëm.


-3 pikët e para historike në këtë kategori, është ky veç fillimi?

Basania është një projekt serioz pavarësisht se është i ri. Ne duhet ti marrim hapat një e nga një, nuk duhet as të kalojmë në eufori, por as edhe të nënvlerësojmë veten. Tani duhet të gjejmë ritmin dhe patjetër të mundohemi të krijojmë vazhdimësi.


-Konfirmoheni njeriu- asist, krenar?

Unë kënaqem kur ekipi fiton e kjo ia shtoj vlerën edhe performancës time. Jap maksimumin çdo herë ku luaj dhe në çdo pozicion. Po ashtu më kënaq që pasimet e mia u dërguan në rrjetë dhe ekipi mori 3 pikët.


-Ndeshja e rradhës kundër Veleçikut në transfertë, e vështirë?

Çdo kundërshtar është i fortë në këtë kampionat. Ne do përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për të marrë një tjetër rezultat pozitiv në ligë./www.shkodrasport.com/