Prej disa kohesh ndodhet larg Shqiperise, megjithate Elvin Beqiri me mendje dhe zemer eshte serish ne Shkodren e tij dhe ne Shqiperi. Ish- mbrojtesi i shquar i Vllaznise dhe i kombetares shqiptare tashme ka zgjedhur te jetoje ne Kanada, por mendjen nuk e heq asnjehere nga vendi ku eshte rritur dhe ka marre emer.

Ne nje interviste per gazeten “Telegraf”, ish- kapiteni kuqeblu eshte ndalur edhe tek sfidat e Vllaznise ndaj Linfield. Per me shume lexoni intervisten e dhene prej tij:


Largimi nga futbolli i luajtur, ju largoi edhe nga Shqipëria?

Pasi lashë futbollin si lojtar, unë pata një eksperiencë të mirë edhe si trajner. Vendimi që u largova në Kanada, erdhi për arsye që nuk lidhen me futbollin. Por edhe këtu nuk jam shkëputur nga futbolli, pasi punoj si drejtor teknik në një nga akademitë më të mëdha në Toronto.

Rreth nëntë vite larg fushave, sa e ndjeni se ju mungon futbolli?

Sigurisht që më mungon shumë futbolli i të luajturit në nivel profesionist, por edhe tani në këtë pozicion, më mban përsëri të lidhur me lojën e futbollit. Dhe padyshim që kështu ka më shumë përgjegjësi.


Disa përvoja në pankinë, kjo ishte eksperienca juaj post lojtar?

Punova shtatë vite në fushën e trajningut ku e nisa nga moshat U19 te Vllaznia, dhe me U17 vjeç të Kombëtares shqiptare. Si zëvendëstrajner te Vllaznia ishte eksperiencë e bukur, e po kështu trajner te Tërbuni ku luajtëm edhe Play-off për Superiore.


Sa e ndiqni ritmikën e futbollit shqiptar dhe Kombëtaren?

Edhe pse jam shumë larg dhe oraret ditore janë të ndryshme Kanada-Shqipëri, unë gjej mundësitë që ta ndjek futbollin shqiptar. Ndoshta jo në detaje, por kryesisht ndeshjet e Superiores dhe të Kombëtares. Dhe do të vazhdoj t’i ndjek.

Kush ju mungon më shumë, Vllaznia apo Kombëtarja?

Natyrisht që të dyja shkojnë paralel, sepse unë lojtar i Kombëtares u bëra kur luaja me Vllazninë. Ky ekip më ka ndihmuar shumë, e në të njëjtën kohë edhe Kombëtarja. Kështu që të dyja mbeten krenaria e karrierës sime si futbollist.

Kombëtarja fitoi dy ndeshje në grup për Euro 2024, si e shikoni vazhdimësinë?

Më erdhi mirë që Kombëtarja i fitoi dy ndeshjet e fundit. Kjo e rrit entuziazmin në skuadër, si dhe besimin që ky ekip mund të përsëritë edhe një herë suksesin e shtatë viteve më parë. Me atë që shoh, janë në rrugë të mbarë.

Vllaznia do të luajë në Konferencë Ligë ndaj Linfild të Irlandës së Veriut, si e mendon këtë sfidë?

Që me ardhjen e Presidentit Xhaferi, Vllaznia i është rikthyer normalitetit sa i përket pjesëmarrjes në kupat e Europës. Mendoj se ndeshja kundër Linfildit është e vështirë, por jo e pamundur për ta fituar dhe Vllaznia të kualifikohet.

Dukeni shumë besimplotë, ku mbështeteni në këtë mendim tuajin?

Aktualisht, Vllaznia ka pamje tjetër nga sezoni i kaluar, ka staf të ri dhe lojtarë cilësorë. Këto besoj se janë arsye për të besuar në kualifikim. Shpresoj që koha e shkurtër përgatitore të mos ndikojë në shpalosjen e ideve për mënyrën e të luajturit.


Si e parashikoni ecurinë e skuadrave shqiptare në turet e para në Europë?

Të katër ekipet janë duke u përgatitur intesivisht për ndeshjet e tyre në Europë. Tirana ka bërë merkato më cilësore e besoj se turet e para do t’i kalojë. Dëshiroj që njerën nga këto katër skuadra ta shoh në grupet e Konferencë Ligë.