Nga Endri ÇINARI
Pas kupave të fituara rradhazi ishte momenti që të triumfonte edhe në një kampionat. Fjala është për Abdurrahman Fangajn, mbrojtësin shkodran që u shpall kampion i vendit me ekipin e Egnatias. 26-vjeçari tregon në një intervistë për “Shkodra Sport” emocionet e këtij suksesi. Ku nuk harron të theksojë punën e madhe që është bërë tek klubi rrogozhinas. Ndër të tjera, Fangaj ka edhe një dedikim të veçantë.
-Fangaj urime fillimisht, si ndiheni pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm?
Faleminderit për urimin dhe mund të them se ndihem i çliruar dhe i plotësuar. Mbyllëm një kampionat që e kryesuam nga java e parë në të fundit. Duket e kurorëzuar me fitimin e titullit kampion kundër Partizanit.
-E prisnit në fillim të edicionit që do bënit “dopio”, kampionat dhe kupë të fituar?
Egnatia prej 3 sezonesh ka treguar që ka ambicie të mëdha. Puna që bëhet në këtë klub është jashtëzakonisht e madhe. E po ashtu serioziteti në çdo detaj. Prandaj ndoshta shumë kush nuk e priste këtë sukses, por ne e kishim besimin që mund t’ia dilmin gjithmonë.
-Sa e vështirë ishit të fitonit këtë kampionat?
Mendoj se ka pasur goxha rivalitet sepse edhe vetë skema e “final 4” nuk të lejonte relaksimin. Pavarësisht se e mbyllëm të parët në kampionatin e rregullt, duhej të tregonim kualitetin tonë edhe në “final 4”. Ku besoj se e treguam veten tonë.
-Një objektiv i Fangajt për sezonin e ardhshëm?
Për momentin dua të shijoj këtë triumf dhe të bëj pak pushime(qesh). Pastaj do vijojmë punën për ndeshjet e Champions League, ku me Egnatian kemi ambicie. Duam të bëjmë mirë edhe në Europë e jo vetëm në Shqipëri.
-Keni ndonjë dedikim të veçantë për këtë sezon të mrekullueshëm që kaluat?
Fillimisht falenderoj klubin e Egnatias, drejtuesit, trajnerët, shokët e ekipit dhe punëtorët aty. Që punojnë për këtë skuadër me dedikim. Një dedikim shkon për familjen time, që ka qenë pranë meje gjithmonë. E po ashtu nuk mund të harroj Rapahel Dwamena, ish-kapiteni i skuadrës. Ky sukses i dedikohet atij në mënyrë të veçantë nga e gjithë skuadra./www.shkodrasport.com/