Nga Maringlen ZHIVANI
Ensar Tafili rregjistroi debutimin me fanellën e Vllaznisë në ndeshjen me Bylisin. Shkodrani luajti sfidën e parë me fanellën e ekipit të parë kuqeblu këtë sezon, në fitoren 2-0 ndaj skuadrës së Bylisit në stadiumin “Loro Boriçi”. Në intervistën e dhënë për “Shkodra Sport”, mesfushori i kuqebluve pohoi se për të ishte një moment i veçantë debutimi me skuadrën e Vllaznisë. 19-vjeçari vlerësoi paraqitjet e bëra në këtë start kampionati të ekipit të tij.
“Debutimi me ekipin e parë të Vllaznisë? Ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe padyshim që jam shumë i lumtur. Të luaj me ekipin e parë të Vllaznisë ka qenë gjithmonë një nga ëndrrat e mia dhe në momentin që ndodhi, ishte vërtetë emocionuese. Jam mirënjohës për mundësinë dhe mbështetjen e stafit, trajnerit Thomas Brdariç dhe drejtorit Tefik Osmani. Kjo mbështetje më motivon edhe më shumë për të vazhduar dhe për të punuar fort, që të jap më të mirën time në çdo rast që më jepet.
Takimi me Bylisin do të mbetet gjatë në kujtesën time si një moment i rëndësishëm në karrierë. Jam dyfish i kënaqur që debutova edhe me fitore. Kjo e bën debutimin tim edhe më të veçantë dhe tregon që puna jonë në stërvitje, po jep rezultate. Shpresoj që të vazhdojmë në këtë mënyrë edhe në të ardhmen.
Nisja e kampionatit me Vllazninë? Ekipi i ka bërë një nisje shumë pozitive kampionatit. Performancat e mira dhe fryma e ekipit janë të dukshme. Besoj se kemi potencial për të arritur rezultate të mira dhe për të mbajtur kreun në tabelë. Është e rëndësishme të mbajmë fokusin, të jemi në tonus dhe të vazhdojmë të punojmë fort.
Ku mund të shkojë Vllaznia? Vllaznia ka potencial për të shkuar shumë larg këtë sezon. Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, mund të synojmë një vend në krye të tabelës dhe ndoshta edhe trofeun. Është e rëndësishmë të vijojmë të jemi të përqëndruar dhe të përmbushim objektivat tona.
Aktivizimi në vazhdim? Shpresoj që të marr sa më shumë minuta në vazhdim. Jam duke punuar shumë në stërvitje për të përfituar sa më shumë nga mundësitë që trajneri Brdariç më jep dhe çdo minutë në fushë është mundësi për të treguar aftësitë e mia dhe për të kontribuar për ekipin”,-tha në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, mesfushori i Vllaznisë, Ensar Tafili, i cili rregjistroi debutimin me fanellën kuqeblu në ndeshjen me Bylisin, e fituar nga shkodranët me rezultatin e pastër 2-0./www.shkodrasport.com/