Nga Endri ÇINARI

Një nga elementët që po spikat tek Basania në këtë gjysmë të dytë të sezonit është Juan Diego Arias. Mesfushori që u bashkua me skuadrën bushatase në janar të këtij viti. Por përshtatja e tij dhe kontributi i dhënë nga kolumbiani ka qenë më të vërtetë i kënaqshëm. Për “Shkodra Sport” ai ka folur në një intervistë së fundmi, ku 25-vjeçari shprehet shumë i lumtur për këtë aventurë, të cilën e konsideron një hap për të ecur përpara e ndërsa thekson se me Basanian kërkon të bëjë mirë nga ndeshja në ndeshje.

-Diego, sa e rëndësishme ishte fitorja e fundit kundër Gramshit?
Ishte një fitore që besoj se e meritonim dhe luftuam deri në fund për ta arritur. Patjetër na kënaq dhe na mbush me optimizëm për ndeshjet e rradhës. Ne e ndjemë se meritojmë të jemi në vendet e para të renditjes dhe në ndeshjet më përparq kemi bërë mirë, por ndoshta na ka munguar disi fati.

-Si ndihesh me skuadrën?
U jam shumë mirënjohës sepse që në ditën e parë kam ndjerë ngrohtësinë e të gjithëve. Jam ndjerë shumë i mirëpritur nga presidenti, shokët e skuadrës e po ashtu edhe trajnerët. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë dhe unë përpiqem që t’ i shpërblej në fushën e lojës. Duke dhënë më të mirën dhe maksimumin nga vetja në çdo moment dhe duel.

-Ndihesh si në Kolumbi këtu, duke pasur parasysh edhe afirmitetin e shqiptarëve?
I falenderoj të gjithë njerëzit këtu në Shqipëri, pasi me të vërtetë më kanë bërë që të ndihem si në shtëpi. Më kanë ndihmuar të përshtatem në mënyrë shumë të shpejtë e ndoshta edhe të papritur për mua në fillim.

-Çfarë të shtyu të vish në Shqipëri?
Për çdo fëmijë në Kolumbi është një ëndërr që një ditë të luajë në Europë. Kështu që kur më erdhi kjo mundësi, duhej të vija në Shqipëri. Ku së bashku me familjen time dëshiroja të përfitoja nga kjo mundësi. Besoj se mund të rritem dhe të kem edhe mundësi të tjera për të ardhmen.

-Je vlerësuar për lojën tënde, besoj se je krenar apo jo?
Jam i kënaqur për vlerësimin që më është bërë. Punoj çdo ditë gjatë gjithë javës me skuadrën për t’i bërë gjërat siç duhet dhe sa më mirë të jetë e mundshme në ndeshje. Dua gjithmonë të jap kontributin tim për të arritur fitore e për të ngritur lart emrin e Basanias.

-Beson në një fitore tjetër kundër Veleçikut këtë javë?
Ne do punojmë gjatë javës në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kërkojmë patjetër maksimumin dhe sidomos në fushën tonë. E dimë që duke u dedikuar dhe dhënë më të mirën, mund të shkojmë drejt fitoreve të tjera në ndeshjet e rradhës.(www.shkodrasport.com)