Të rritesh në një qytet si Shkodra, ku arti dhe sporti janë padyshim dy ndër fushat më të spikatura, padyshim që nuk mund të mos e vizitosh edhe “Loro Boriçin”.Aty ku, zemra rreh fort për kuqeblutë e Armando Cungut.Dhe pse nuk është në kohën e saj më të mirë, Vllaznia vazhdon dhe do të jetë gjithmonë në zemrat e tifozëve të saj të dashur.
Ashtu sikurse është edhe për gazetaren simpatike shkodrane, Albina Gjergji. Mençuria dhe sensualiteti rrijnë aq bukur tek tifozja e Vllaznisë që pwr portalin “E dua sportin” i ka rrëfyer gazetares Eva Marku pasionin për punën dhe dashurinë e madhe për fanellën kuqeblu.
*Albina më flisni pak për veten. Nga jeni dhe sa vite keni që merreni me gazetari?
*Të jem e sinqertë nuk është në natyrën time të flas për veten, pasi vetën e parë nuk e konsideroj formën më simpatike të të prezantuarit të asaj çka jemi, megjithatë unë vij nga Shkodra dhe jam bijë e dy prindërve me origjinë nga Mirdita dhe Zadrima. Në media kam 11 vite që merrem, konkretisht me shtypin e shkruar, ku mbuloj sektorin e Kulturës, Spektaklit, herë-herë edhe të Sportit, apo Politikës. Pra, në varësi të nevojës së punës në grup, mbulojmë edhe sektorë që nuk janë detyrë e jona, por që profesionalisht na duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin nga ngarkesa ngjarjesh. Pas disa eksperiencash në media të ndryshme, si; gazeta Telegraf, Panorama, Game Over, Telenovelat, Klan, etj., prej disa vitesh punoj te gazeta “Koha Jonë”
*Si ka lindur pasioni për sportin?
*Jam nga ato njerëz që mendojnë se pasionet jo vetëm lindin me njeriun, por më së shumti ushqehen nga njeriu (qesh). Kështu edhe në rastin tim. Babai dhe dy vëllezërit kanë pasur një ndikim të madh në formimin dhe ushqyerjen e pasionit sidomos për futbollin. Mbaj mend për shembull, Kampionatet e Futbollit pas ‘90-ës, ku në shtëpinë tonë gumëzhinte tifozeria dhe ovacionet për ekipin e Italisë. Nuk i harroj kurrë disa skena emocionesh të forta në momente penalltie.Aq shumë e ndjente im atë futbollin dhe aq shumë i apasionuar pas italianëve ishte, sa kur do të
gjuanin topin këta të fundit në portën e kundërshtarit dilte jashtë dhe mbyllte veshët që të mos dëgjonte ulërima humbjeje. Ose kur i kthente shpinën ekranit të televizorit. Rasti konkret më kujton dështimin e penalltisë së Roberto Baggio-s në përballjen e vitit ’94 me Brazilin. Kujtoj lotët e babait dhe të të gjithëve ne nga zhgënjimi që përjetuam.
E donim aq shumë Baggion, i cili asokohe konsiderohej frymëzim për ekipin e Italisë, sa pas humbjes dëgjoja tim atë që thoshte, “kurrë nuk bëj më tifo për ju”. Por, përsëri përfundonte duke “u çmendur” për futbollin italian. Oh, ç’më kthyet pas në kohë…
*Sa shpesh e ndjek në stadium Vllazninë?
*Vllaznia është dashuria ime e madhe dhe e gjithë familjes gjithashtu. Fatkeqësisht nuk mund të them se e ndjek shpesh, pasi orari i punës më kufizon për të qenë e pranishme çdo herë në stadium, por i ndjek mjaftueshëm, aq sa për ta përjetuar dhe transmetuar fort. Sidomos përballjen me Tiranën para pak muajsh për shembull, (ku kjo e fundit ra nga Kategoria Superiore) mund të them qe e kam përjetuar tej mase shumë. Vllaznia është ekipi zemrës. Sigurisht që e kam të injektuar nga tifozeria familjare pikë së pari, por edhe sepse duke qenë nga Shkodra normale që nuk do bëj tifo për Skënderbeun e Korçës, apo Apolloninë e Fierit (qesh), por vetëm për Vllazninë.
*Kush është lojtari yt i preferuar aty?
*Denis Pjeshka dhe Ardit Krymi janë emra që për mendimin tim premtojnë shumë. Megjithatë, sot që jam më e pjekur edhe si tifoze, më shumë sesa preferenca personale, shoh ekipin në terësi si funksionon dhe sa arrijnë. Ai që manovron më mirë me topin për të arritur qëllimin dhe që ka temperament të mprehtë në lojë do të vazhdojë të jetë në preferencat e mia.
*A keni besim te trajneri Cungu?
*Cungu është profesionist dhe Vllaznia, përveçse ka qenë dhe mbetet prioriteti i tij, ai i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shpirt më shumë se gjithçka ekipit. Pra, po, kam besim tek ky trajner. Është e vërtetë që Vllaznia duhet të punojë më fort për të arritur shkëlqimin që meriton, por tashmë duhet thënë që Vllaznia identifikohet me Cungun dhe Cungu me
Vllazninë, kështu që bashkë me zgjuarsinë që mendoj se e karakterizon, Cungu do të dijë ta çojë përpara ekipin më me histori në Shqipëri.Një ekip, i cili historikisht ka prodhuar shembuj të jashtëzakonshëm talentesh, siç kanë qenë për shembull, Edi Martini, Luan Zmijani, Armir Grima, Sinani, Premçi, Kotrri, vetë Cungu, (trajneri aktual), si dhe
duke vazhduar me Hamdi Salihin, shokun tim të klasës në gjimnaz, Albert Kaçin, Balajn, etj…
*A mendoni se do të arrijë objektivin (mesin e tabelës) Vllaznia këtë sezon?
*Do e dëshiroja, por nuk duhet të dëlirojmë. Vllaznia duhet të luftoje për më të mirën e saj, duke ecur me këmbë në tokë. Kjo është thelbësore. Kështu që ne si tifozë të mos bëjmë “Nostradamusin”, por më mirë le t’i ushqejmë vetes pritshmëri objektive.
* E nisi mbarë javën e parë, fitoindaj Lushnjes, por u mund në “Loro Borici” nga Teuta?
*Për hir të së vërtetës, Vllaznia ime ka vite që noton në ujëra të turbullta përsa i përket ambicieve për kampionat, apo pjesëmarrje në kompeticionet europiane UCL, apo EL. Kjo edhe për faktin se Vllaznia akoma nuk është privatizuar dhe menaxhohet nga Bashkia, gjë që sipas këndvështrimit tim sjell amulli dhe paqartësi për të ardhmen e ekipit.Privatizimi dhe marrja e ekipit nga biznesmenë seriozë do të sillte një ndryshim rrënjësor që tek ambiciet e deri tek administrimi. Mjafton të shohim punën e shkëlqyer që kanë bërë Skënderbeu, apo Kukësi, të cilët edhe pse vinin nga kategori inferiore dhe me një palmares mjaft modest (Skënderbeu 1 kampionat, përpara se të fitonte 6 herë radhazi titujt kampion në vitet e fundit, apo Kukësi akoma më inferior, i cili jo vetëm që s’ka patur asnjë titull kampion, po ai mesa di unë s’ka qenë kurrë në kategorinë superiore, ndërsa tani është ekipi kampion në fuqi).Kështu që edhe humbja me Teutën në Shkodër, apo fitorja me Lushnjën në transfertë s’është gjë tjetër, veçse pasqyra reale e asaj që është Vllaznia sot. Gjithsesi unë theksoj që, Vllaznia mbetet furnizuesi kryesor i kombëtares, kampionatit tonë, si dhe kampionatet e tjerë nëpër Europë e më gjerë me futbollistë të talentuar.