Pasditen e djeshme ka hedhur firmë në kontratë dhe Herald Marku do të jetë të paktën edhe sezonin e ardhshëm pjesë e Vllaznisë. Mesfushori 24 vjeçar me origjinë nga Shkodra në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” ka shpjeguar edhe arsyen pse bëri këtë zgjedhje kur në fakt ka patur edhe oferta të tjera.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se skuadra e sezonit të ri do të jetë krejt ndryshe dhe vetë ai do të vazhdojë të luajë në pozicionin e tij të preferuar, atë të mesfushorit. Ja intervista e dhënë për “Shkodra Sport”:

– Herald, përse vendosët të qëndroni sërish tek Vllaznia edhe për sezonin e ri?

Sepse është e lehtë të zgjedhësh të qëndrosh tek Vllaznia. Kemi të bëjmë me një klub të madh dhe përpos kësaj, ndjehem shumë mirë në Shkodër.

– Keni patur oferta të tjera gjatë kësaj periudhe?

Po, kam patur oferta konkrete nga ekipe të tjera, por vendosa të mos ndryshoj ambjent dhe të jem sërish pjesë e Vllaznisë.


– Si e parashikoni Vllazninë e sezonit të ri, do të jetë ndryshe nga ajo e sezonit që sapo u mbyll?

Jam shumë optimist se do të jetë ndryshe. Nuk duhet të jemi më në këto ujëra dhe duhet të luftojmë për objektiva të tjera.

– Trajneri Dedja “zbuloi” pozicionin tënd ideal. Do vazhdosh të luash sërish në mesfushë?

Trajneri më aktivizoi në rolin tim, gjë që më bëri të tregoj veten në ndeshjet e fundit dhe të jepja më të mirën. Sigurisht që edhe në të ardhmen, do të vazhdoj të luaj në mesfushë.
www.shkodrasport.com