Para pak ditësh hodhi firmën zytarisht me Vllazninë. Për tu lidhur me kuqeblutë për 3 vitet e ardhshme, fjala është për Kevin Dodaj. Sulmuesin e dalë nga akademia Vllaznia e tashmë pjesë e ekipit të parë. Për “Shkodra Sport” ai shprehet që pasi realizoi ëndrrën e debutimit dhe golit të parë, tashmë erdhi edhe firma. 19-vjeçari po ashtu nuk kërkon të ndalet me kaq, ku premton se ky është vetëm fillimi.
-Kevin, si kanë qenë këto ditë, besoj se ke marrë shumë urime apo jo?
Po, është e vërtetë. Kanë qenë ditë me emocione për mua. Dhe i falenderoj të gjithë për urimet e shumta që kam marrë pas nënshkrimit me Vllazninë.
-Realizimi i një ëndrre apo jo?
Çdo kush që është pjesë e akademisë Vllaznia apo më mirë çdo futbollist i ri në Shkodër do që të jetë pjesë e ekipit të parë. Për mua ishte diçka që u realizua dhe që e doja që nga dita e parë që u stërvita me akademinë Vllaznia.
-Ti ke shënuar një gol sezonin që u mbyll, besoj i ke kaluar disi emocionet e fillimit?
Emocione e debutimit ndoshta i kam kaluar sepse jam pjesë e ekipit prej 1 sezoni tashmë. Edhe djemtë më kanë mirëpritur në mënyrë të shkëlqyer. Por dua të përjetoj emocione të reja me Vllazninë.
-Çfarë do thuash me emocione të tjera?
Dua të jem protagonist në vazhdimësi dhe të fitoj trofe me ekipin tim të zemrës. Besoj se me shumë punë dhe stërvitje do ia dal që së bashku me skuadrën të kem sukses.
-Pra, ky është vetëm fillimi për Dodajn?
Patjetër që po sepse çdo futbollist kërkon të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Kam shembuj tek Vllaznia me lojtarë me eksperiencë edhe ndërkombëtare që i shikoj se duan të përmirësohen çdo herë. Atë dua edhe unë nga ndeshja në ndeshje.
-Një falenderim apo dedikim?
Dua t’i falenderoj të gjithë, nga drejtuesit e klubit që patën besim tek unë. Por edhe akademia Vllaznia apo edhe Akademia Atletik, ku hodha hapat e parë të futbollit. Gjithashtu edhe familjen time, që është gjithmonë pranë meje për të më mbështetur.
Intervistoi: Endri ÇINARI