Akademia Scutari ka bërë një super mbyllje të sezonit në ligën amatore. 3 ekipe të grupmoshave të kësaj akademie janë shpallur kampion, duke qenë triumfues mbi të tjerët. Drejtuesi i kësaj akademie, Erjon Hasaj ka folur në një intervistë për “Shkodra Sport” për këtë sukses. Ai thekson se është krenar që puna e një sezoni u shpërblye me trofe. Gjithashtu ai garanton se kjo akademi me seriozitetin dhe punën e saj do vijojë me të tilla paraqitje edhe në të ardhmen.
-Si fillim urime për këto kampionate të fituara. Sa e vështirë ishte?
Shumë faleminderit për urimin dhe ju falenderoj edhe ju si gazetë “Shkodra Sport”. Që jeni gjithmonë pranë nesh me shkrimet tuaja. Realisht ka pasur vështirësitë e veta sepse të dalësh kampion me 3 grup mosha nuk është e lehtë. Por me punë dhe dëshirë arrihet çdo gjë.
-Një sezon i gjatë dhe i lodhshëm, por që në fund u shpërblye më së miri. Jeni krenar?
Kampionati është i gjatë edhe i lodhshëm dhe ajo dihet. Por kur puna bëhet me pasion çdo gjë është më e lehtë. Dhe kur puna shpërblehet edhe me trofetë, kënaqësia është edhe më e madhe.
Krenar normal që jam sepse është puna e gjithë vitit që shpërblehet në fund. Dhe për këtë sukses dua të falenderoj fëmijët që stërviten me shumë përkushtim. Prindërit që po ashtu sakrifikojnë shumë. Si edhe stafin teknik, profesor Isa Sukaj që është trajneri i portierëve, Met Hasaj dhe Sidrit Barbullushi që punojnë plot përkushtim çdo ditë.
-Sa premton kjo akademi ose shoqatë që ju drejtoni që të garantojë suksese sërish?
Akademia Scutari nuk ka qëllimin kryesor fitimin e trofeve, por të punojë sa më mirë dhe ndershëm për zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve. Kjo akademi që nga formimi i saj i ka dhënë tonin si ligës amatore e po ashtu Kategorisë së Parë u-17 dhe u-19, ku ka marrë pjesë për shumë sezone. Ku për fat të keq me ndryshimin e formulës nuk jemi më pjesë e saj.
-Ka elementë që mund t’i shohim në të ardhmen duke shkëlqyer në Superiore apo jashtë vendit?
Në akademinë tonë stërviten rreth 90 fëmijë. Nga mosha 6-17 vjeç dhe s’ka si të mos ketë elementë cilësorë. Këtë sezon kemi pasur lojtarë që kanë shënuar 65 gola në 30 ndeshje. Por edhe futbollistë të tjerë shumë të mirë që kanë ndihmuar skuadrën për të realizuar objektivat.
-Çfarë këshille do ishte e vlefshme për brezat e rinj të futbollistëve?
Në fakt më shumë se ndaj fëmijëve, do kisha një këshillë për prindërit. Sepse fëmijët sot kalojnë shumë kohë nëpër rrjetet sociale dhe mjetet teknologjike. Duke krijuar probleme që në vegjëli me shikimin e po ashtu ushqimi jo i shëndetshëm, që bën të jenë obezë. Ndaj ju bëj thirrje prindërve që ti aktivizojnë sa më shumë në sport fëmijët.
Për fëmijët do thoja që të mos mërziten sepse rruga është e gjatë dhe kush punon e sakrifikon në fund do ketë sukses.
-Dhe si përfundim sa sfiduese është të mbijetosh dhe të kesh sukses në një ambient si futbolli shqiptar?
Në Shkodër ka shumë akademi dhe normalisht nuk është e lehtë të mbijetosh dhe të kesh sukses. Por puna tek ne bëhet me seriozitetin dhe dëshirën e duhur, duke na bërë të realizojmë objektivat. Shumë akademi në Shkodër janë krijuar me bujë të madhe dhe në pak vite nuk ekzistojnë më. Ndërsa akademia Scutari ka pasur rritje sistematike nga viti në vit dhe kjo nuk është rastësi, por falë punës që bëjnë çdo ditë trajnerët tanë.
Intervistoi: Endri ÇINARI