Tek Vllaznia U17 një nga futbollistët që po spikat është edhe sulmuesi Kevin Dodaj. Ai ende nuk i ka mbushur 16 vjeç, por nga ndeshje në ndeshje po bind me paraqitjet e tij dhe padyshim që ka shumë për të bërë në të ardhmen.

I datëlindjes 3 shtator 2005, Kevin pëlqen futbollin që në moshë të vogël dhe për rrjedhojë prej pak vitesh është angazhuar pranë ekipeve të Akademisë Vllaznia. Aty ku ka rënë menjëherë në sy për performancën e tij, lojën dhe golat që shënon.

Në kampionatin e sivjetëm ka shënuar deri tani 4 gola. Kuptohet që ka ende shumë për të dhënë dhe me siguri që në ndeshje e ardhshme ai do të japë më të mirën e tij për ekipin e Vllaznia U17, pjesë e të cilit është.

Kuptohet që është vetëm në hapat e parë të karrierës dhe ka shumë rrugë përpara, megjithatë sulmuesi i ekipit shkodran ka edhe ëndrra që kërkon të bëjë realitet. Dodaj i ka bërë madje publike ato në një prononcim për “Shkodra Sport” të dhënë për gazetaren Fabiola Caka ku ai flet për pasionin e tij të madh, futbollin.

– Kevin, si ju ka lindur dëshira dhe pasioni për futboll?

-E kam nisur këtë sport në një moshë të vogël. Isha vetëm 9 vjec kur fillova stërvitjen e parë. Përtej aftësisë dhe dëshirës sime, shtysa më e madhe ka qenë im atë. Kam pasur fatin e madh të kem një baba që gjithmonë më ka shtyrë drejt ëndrrës sime dhe më ka përkrahur në çdo hap timin. Mbështetje e cila vazhdon akoma edhe sot.


– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

-Sakrificat kanë nisur që në fillimet e këtij rrugëtimi.Stërvitesha dhe stërvitem cdo ditë me përkushtim në menyrë që të arrij diqka në të ardhmen. Duke i’u përkushtuar sportit dhe duke limituar kohën time, kam lënë shumë gjëra mbas dore. Lodhja dhe dëmtimet fizike po ashtu janë sakrifica të vazhdueshme që cdo sportist, besoj i ka hasur një herë të vetme në karrieren e tij.

– Plot dy vite pjesë e Vllaznisë, a e keni gjetur veten tek ky ekip?

-Vllaznia është një ndër gjërat më të bukura që më ka ndodhur në karrierën time deri më tani. Ky ekip më ka ofruar komoditetin e kërkuar dhe jo vetëm kam gjetur veten, por realizova një nga qëllimet e mia.

– Si janë marrëdhëniet tuaja me pjesën tjetër të skuadrës dhe stafin? Kë do veçonit?

-Mund të them me plot bindjen se jam me fat që jam pjesë e një skuadre të tillë dhe që drejtohemi nga një staf si ky i joni. Marrëdhëniet janë po ashtu të shkëlqyera. Nuk mund të veçoj asnjë pasi gëzoj respekt për të gjithë.

– A i ka arritur Dodaj synimet e tij apo ka akoma për të ofruar?

-Jam një person shumë ambicioz dhe për veten time kërkoj gjithmonë më të mirën e mundshme. Synimet e mia kanë nisur që kur isha shumë i vogel dhe dita ditës ato rriten dhe zhvillohen njëkohësisht me mua. Pritshmëritë e mia janë absolutisht të larta. Nuk jam i kënaqur me veten 100% dhe do bëj të pamundurën që askush të mos pendohet për besimin e dhënë.

– Kush është ëndrra jote më e madhe apo synimi që ke për të ardhmen?

-Endrra dhe qëllimi im është që të bëhem pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Pastaj duke qenë se jam njeri që kërkoj gjithmonë më të mirën e mundshme nga vetja,absolutisht që e shikoj veten edhe më lart se aq.
Intervistoi: Fabiola CAKA