Sporti në Shkodër duket se po kalon jo pak probleme. Pas atyre me tre basketbollistet e ekipit të të rriturave të Vllaznisë të cilat prej disa ditësh kanë braktisur stërvitjen e ekipit ngaqë kërkojnë pagesa më të mira, sot do t’i rikthehemi dhe njëherë një tjetër problem tek sporti i basketbollit.

Bëhet fjalë për ekipin U20 të djemve i cili u krijua për herë të parë këtë sezon dhe në krye të tij u vu trajneri Krisjan Koçeku i cili punoi me shumë përkushtim duke e bërë atë një ekip pretendent, por krejt papritur në fund të dhjetori deklaroi dorëheqjen e tij nga drejtimi i këtij ekipi.

Një veprim që e lajmëroi përmes një statusi të shpërndarë në rrjetet sociale, por në të sigurisht që nuk kishte më shumë detaje për arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi. Pikërisht për këtë arsye, gazeta “Shkodra Sport” e ka kontaktuar Koçekun duke zhvilluar edhe një intervistë me të të cilin mund ta lexoni më poshtë:


– Kristjan, para disa ditësh keni dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Vllaznia U20. A mund të na shpjegoni diçka më shumë në lidhje me arsyet që ju çuan në marrjen e këtij vendimi?

Vendimi për t’u larguar nga posti, me gjithë përkushtimin që kam treguar, ishte padyshim i vështirë, por ndoshta i drejtë nëse nuk po merr mbështetjen e nevojshme nga klubi. Palestra dhe kushtet për stërvitje janë themelore për çdo trajner dhe ekip që dëshiron të përparojë dhe kur të premtojnë diçka dhe nuk e realizojnë, është zhgënjyese.


– Ku i keni zhvilluar stërvitjet me ekipin gjatë kësaj periudhe?

Në fillim, para se me fillu kampionati, kemi bërë stërvitje te shkolla “Xheladin Fishta” në një orar të papërshtatshëm, në orën 21.00 të mbrëmjes. Por pastaj na larguan dhe prej aty masanej na kane hek nga aty sepse kishim hyrë pa dijeninë e drejtorit të shkollës, gjithmonnë duke menduar se shoqata kishte rënë dakort me drejtorin edhe me Bashkinë që ekipi të stërvitej aty por nuk kishte qenë kështu.


– Po shpenzimet e udhëtimeve dhe të tjerat e ekipit, kush i ka paguar?

Sa i përket shpenzimeve, shumicën i kam mbuluar vetë e këtu përfshihen uniformat dhe shumë gjëra të tjera, ndërsa udhëtimet i kemi paguar bashkë me djemtë.


– Shoqata e Basketbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër nuk kanë mbuluar asnjë shpenzim?

Asgja, edhe sallën e stërvitjes që na e kishin premtuar, nuk na e realizuan.

– Ishte e vështirë të thoje “stop”, nuk dua të vazhdoj më?

Sigurisht që e pata shumë të vështirë sepse arrita të krijoj një super- grup dhe ishim pretendentë kryesorë për fitimin e titullit kampion, por askush nuk na mbështeti dhe prandaj isha i detyruar të largohesha.


– Keni dijeni se kush e stërvit tani ekipin?

Në fakt, nuk kam dijeni. Por di të them se disa prej sportistëve më kanë thanë se do ta lënë edhe ata. Javën që shkoi Vllaznia U20 ka patur ndeshje kampionati dhe mesa kam informacion, ajo nuk është zhvilluar sepse nuk është plotësuar grupi i lojtarëve. E përsëris edhe njëherë, më vjen keq që u prish një punë e bukur që ishim duke bërë./www.shkodrasport.com/