Nga Maringlen ZHIVANI
Pak javë më parë, në Tiranë është zhvilluar kampionati i ekipeve Kombëtare rajonale të futbollit të femrave për moshat U-14, me pjesëmarrjen e ekipeve të gjashtë zonave të Shqipërisë, ku në fund ekipi i Zonës së Shkodrës ka triumfuar mbi të gjithë, duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampion.
Pjesë e formacionit të drejtuar nga trajnerja shkodrane Paula Jaku ka qenë edhe futbollistja e Murlanit, Megi Preçi. 14-vjeçarja u shpreh e lumtur për këtë grumbullim me Kombëtaren rajonale dhe për trofeun e fituar. Preçi tha se këto arritje ia dedikon trajnerit të saj, Vahedin Pepaj. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e saj të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Megi, e lumtur për grumbullimin me Kombëtaren rajonale dhe si shkoi kjo aventurë për ju?
Jam shumë e lumtur. Në fakt, kam bërë shumë punë që të arrija në Kombëtare. Ishte një nga eksperiencat më të bukura dhe më të paharrueshme. Grumbullimi në Kombëtare më ka dhënë një shtysë më të madhe drejt futbollit.
-Ishte emcionuese për ju të luanit me Kombëtaren?
Ishte një emocion që nuk e kam përjetuar kurrë më parë, por më e rëndësishme ishte besimi që kisha te vetja.
-E lumtur që stafi teknik i Kombëtares dhe trajnerja Paula Jaku besoi tek ju?
Shumë e lumtur. Ishte një staf i mrekullueshëm dhe e falënderoj pa masë edhe trajneren Paula Jaku për besimin që më dha.
-Keni ndonjë dedikim ose falenderim pas këtij suksesi?
Këtë arritje ia dedikoj klubit të Murlanit, ku unë stërvitem aktualisht dhe stafit të mrekullueshëm për punën e palodhur që bëjnë me mua dhe të gjitha grupmoshat. Në veçanti, falënderoj drejtuesit e klubit, vëllezërit Rraboshta dhe trajnerin Vahedin Pepaj.
– Cilat janë synimet tua për të ardhmen dhe çfarë presim nga ju?
Sigurisht që, synimi është që të shkoj sa më lart në karrierën time futbollistike. Shpresoj që një ditë të luaj në stadiumet më të mëdha të Europës.