Nga Endri ÇINARI

Është shndërruar tashmë në një titullar të padiskutueshëm për Vllazninë dhe lëndimet fizike duket se i ka lënë pas. Fjala është për Melos Bajramin, mbrojtësin shtarlartë i cili nga ndeshja në ndeshje po tregon rritje me fanellën kuqeblu. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai flet për ecurinë që po kalojnë shkodranët. Mëngjërashi thekson se ekipi ka ende nevojë për përmirësime e ndërsa vlerëson edhe partneritetin me Stojanoviç. Në fjalët e tij ai ndalet edhe tek ndeshja me Dinamon, ku 9 herë kampionët e vendit e presin me padurim e ku do tentohet një rezultat pozitiv.

-Bajrami, një fitore që ju rrit shumë moralisht kjo përballë Bylis?


Normalisht që çdo rezultat pozitiv të rrit dhe të jep një motiv dhe moral tjetër. Po ashtu atmosfera në ekip është shumë pozitive e ne arritëm të tregojmë formën tonë, duke vijuar me rezultatet pozitive. E në këtë mënyrë duke krijuar edhe një vazhdimësi.

Dominuat nga fillimi në fund, ndonjë sekret?


Besoj se e domimuam kundërshtarin sepse në asnjë moment nuk e nënvlerësuam atë. Sekreti qëndron vetëm tek përgatitja e ndeshjeve gjatë gjithë javës. Me seriozitetin dhe përkushtimin e duhur për çdo kundërshtar.

-Ekipi duket se ka një mentalitet tjetër në vitin 2025 nga ajo çfarë shihet në fushë?


Punojmë shumë në aspektin e mentalitetit dhe na flasin shumë për këtë pjesë. Kjo pasi është një gjërat më të rëndësishme që duhet të ketë një ekip që të ketë suksese të mëdha. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë mentalitet fituesi deri në fund.

-Mbrojtja mbajti “0” prapa, sa e rëndësishme është?


Natyrisht që puna kryesore e mbrojtjes është të ndihmojnë që porta të mbahet e paprekur. Si mbrojtës më gëzon fakti që mbajtëm 0 mbrapa në ndeshjen me Bylis. E po ashtu që isha një ndihmesë për ekipin dhe që me mbrojtësit e tjerë ofrojmë siguri.

-Si ndihesh në partneritetin tënd me Stojanoviç?


Me Stojanoviçin jemi në dyshe e mirë dhe që kuptohemi në fushën e lojës. Këtë besoj se e kemi treguar edhe në disa ndeshje, ku bashkëpunimi mes nesh ka qenë i suksesshëm. Uroj që të gjithë të kemi paraqitje sa më pozitive e po ashtu të kemi sa më pak lëndime. Sepse këtë sezon reparti i mbrojtjes ka qenë shumë i penalizuar nga dëmtimet e futbollistëve.

Mund të përmirësojë diçka skuadra?


Në secilën skuadër ka çdo herë vend për përmirësime. Nuk besoj se ka dhe do ketë ndonjë ekip perfekt në futboll. Ai ekip që gabon më pak dhe ka përmirësime nga ndeshja në ndeshje do ketë arritjet më të mëdha. Ne mundohemi çdo ditë të bëjmë progres dhe të korigjojmë çdo detaj.

-Ndeshja e rradhës me Dinamon, sa vendimtare mund të jetë?


Këtë ndeshje ndaj Dinamos e presim me padurim pasi është një rival direkt për ne. Lojën duhet ta marrim me qetësi e të tregojmë që jo më kot jemi në ekipet kryesuese të kampionatit. Por nuk mund të them se sa vendimtare do jetë sepse kampionati është ende i gjatë dhe ka mjaft javë përpara. Por di të them se do jemi në maksimum të karikuar për rezultat pozitiv.

-Një mesazh për tifozët?


Tifozët janë lojtari ynë i 12-të dhe janë shtysa jonë kryesore. I falenderojmë çdo herë për përkrahjen e tyre sepse me ta jemi më të fortë. Shpresojmë t’i kënaqim çdo herë me rezultate pozitive.(www.shkodrasport.com)