Nga Endri ÇINARI

Partizani U-19 po kryeson kampionatin tek kjo grup moshë dhe po shkon drejt titullit kampion. Të kuqtë triumfuan ditën e djeshme me përmbysje ndaj Skënderbeut në shifrat 3-1. Për kryeqytetasit protagonist absolut ishte me një dy golësh, Nebi Qokthi. Sulmuesi shkodran dhe kapiteni i skuadrës së “demave” ka folur në një intervistë për “Shkodra Sport”. Ai shprehet i lumtur për golat e shënuar, por thekson se e rëndësishme ishte fitorja. Ndër të tjera duke qenë edhe pjesë e ekipit të parë të 17 herë kampionëve të Shqipërisë shpreson që me paraqitjet e tij të bindë për të debutuar sa më shpejt në Superiore.

-Qokthi, si kapiten por edhe golashënues po udhëheq Partizanin, sa krenar ndihesh?
Golat janë të rëndësishëm për mua patjetër në aspektin personal sepse sulmuesit gjithmonë maten me gola. Por ato nuk do kishin aspak vlerë nëse skuadra nuk do arrinte fitoren. Në këtë mënyrë më vjen shumë mirë që golat e mi vlejtën për suksesin e ekipit, që është primar.

-Po shkoni drejt titullit kampion, do arrini ta ruani vendin e parë deri në fund?
Në ndeshjen e fundit të fituar ndaj Skënderbeut morëm vendin e parë tashmë. Por do kemi edhe 4 finale përpara dhe duhet të japim maksimumin që të arrijmë objektivin, që për ne është titulli kampion. Me përqendrim, shumë luftë sportive dhe ndihmën e Zotit besoj se do ia dalim me sukses në fund të këtyre ndeshjeve.

-Kur do iu shohim protagonist me ekipin e parë të të kuqve?
Absolutisht një objektiv personal është edhe ekipi i parë. Kam zhvilluar disa seanca stërvitore me ekipin e parë të Partizanit ku jam ndjerë shumë i mirë pritur. Por me punë dhe dedikim nga ana ime besoj se gradualisht do të vijë edhe koha ime që të jem i rëndësishëm tek Partizani.

-Do shënosh sërish në ndeshjen e rradhës?
Ndeshja e rradhës është finalja e rradhës për ne. Nuk lejohen hapa falsë dhe objektiv është fitorja. Pastaj se kush shënon nuk ka shumë rëndësi, pavarësisht se unë do jap më të mirën time që të shënoj dhe ndihmoj skuadrën.

-Ndonjë dedikim për këto gola dhe paraqitje shumë pozitive?
Këto gola dhe paraqitje ia dedikoj totalisht familjes sime. Ata janë gjithmonë pranë meje duke më mbështetur dhe sakrifikuar për të realizuar ëndrrat e mia e të arrij deri këtu ku jam sot.