Në këtë merkato verore la kampionatin shqiptar për t’iu bashkuar atij rumun. Fjala është për Herald Markun, i cili po shkëlqen me UTA Arad. Mesfushori duket se është përshtatur mjaft mirë dhe këtë e tregon në një intervistë për “Shkodra Sport”. Gjithashtu mëngjërashi ndan edhe një mendim për Vllazninë, duke i uruar suksese kuqebluve.
– Marku po shkëlqen në Rumani, e prisje një start të tillë?
Fillimi i mbarë është gjysma e punës siç i thonë. Të them të drejtën e prisja sepse jam stërvitur shumë dhe kam qenë gati në çdo moment.
-U përshtatët menjëherë me sa duket. Të motivon akoma më tepër ky fakt?
Jam përshtatur shpejt me ambientin, çdo ditë e më mirë. Më kanë pritur shumë mirë dhe kjo ka qenë diçka që më ka ndihmuar. Sigurisht që më motivon dhe më jep shtysë për të vazhduar më përpara.
-Ka ndryshime mes kampionatit tonë dhe atij rumun?
Po ka ndryshime. Në Rumani luhet me një ritëm shumë të lartë dhe gjithashtu ka më shumë cilësi si kampionat.
-Dy fjalë në fund për Vllazninë, ku ende ju respektojnë shumë në Shkodër për atë çfarë dhatë për kuqeblutë. Si i shikon në këtë sezon?
Si fillim ndihem shumë mirë që kam respektin dhe vlerësimin e tifozëve të Vllaznisë. E kam ndjekur ndeshjen e parë të Vllaznisë dhe më ka pëlqyer. Kam shumë besim se ekipi do bëjë mirë këtë sezon. Është ruajtur një bazë e grupit dhe është përforcuar me lojtarë të rinj dhe cilësorë. Për mua kanë një grup të mirë, ku gjithashtu edhe mbështetja e tifozëve është plus i madh për ta. I uroj shumë suksese çunave në këtë sezon.
Intervistoi: Endri ÇINARI