Vllaznia e femrave ka prezantuar sot 7 blerjet e bëra së fundi dhe padyshim që vëmendja kryesore ka qenë e përqendruar tek ardhja e një portiereje shumë cilësore.
Fakti që futbolli shqiptar dhe ai ballkanas në përgjithësi vuajnë për portiere cilësore, i ka detyruar drejtuesit e Vllaznisë që të shohin tregun europian e më gjerë teksa së fundi, ka firmosur me spanjollen Anna James Buhigas.
Ajo ka luajtur edhe në Itali dy vjet më parë me ekipin e Veronës ndërkohë që deri në qershor të këtij viti ka qenë pjesë e ekipit Rajo Vallecano në Spanjë.
Tashmë është bërë pjesë e Vllaznisë me të cilën do të luajë në sezonin e ri. E pyetur se çfarë e shtyu t’i thotë “po” ofertës së Vllaznisë, portierja Buhigas do të shprehej:
“Kam vetëm tre ditë që kam ardhur këtu dhe më kanë pritur shumë mirë. Një nga arsyet pse zgjodha Vllazninë ishte historia e suksesshme e saj. Por jo vetëm kjo. Pritja që më kanë bërë drejtuesit, stafi dhe vajzat ka qenë shumë e mirë.
Kjo do të më shtyjë të jap më të mirën për këtë skuadër. Do të mundohem t’i jap eksperiencën time Vllazninë në përballjet europiane dhe të mbroj portën të paprekur. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë, që di të shënojë dhe kështu do të synojmë kualifikimin”- ka thënë Buhigas./SHKODRA-SPORT.COM/