Vllaznia u-21 është rikthyer në aktivitet pas 3 javëve pezullim të kampionatit. Kuqeblutë kanë mposhtur Partizanin sot në shifrat 1-2 në transfertë ku autorët e golave ishin Çoba dhe Deda. Pikërisht sulmuesi në një intervistë për “Shkodra Sport” flet për këtë takim, por edhe për Superligën dhe ecurinë e shkodranëve.
-Çoba, riktheheni me gol pas disa javësh mungesë aktiviteti. Sa e rëndësishëme ishte kjo për ty?
Jam i lumtur që shënova dhe më tepër që ndihmova ekipin në këtë fitore. Them se ky gol më bën mirë dhe më jep motiv edhe për ekipin e parë, ku dua të jem gjithmonë gati.
-Një ndeshje e vështirë kjo e sotmja?
Mendoj se ishte një takim i dyluftuar, por Vllaznia tregoi se është një nga ekipet, për të mos thënë më i miri tek u-21. Ishte një fitore e merituar dhe që mendoj se do na ndihmojë shumë për vazhdimin e kampionatit.
-Goli i 6-të këtë sezon tek u-21, premton Çoba të tjerë?
Sulmuesi me golin matet dhe tregon vlerat e tij. Patjetër që dua të vazhdoj të shënoj dhe jo vetëm tek kampionati u-21.
-Çfarë doni të thoni me këtë të fundit?
Dua të them se unë dua të jap kontributin tim edhe për ekipin e parë të Vllaznisë. Unë jam pjesë e skuadrës së parë dhe dua të ndihmoj kur të më jepet mundësia edhe atje.
-Të ndalemi pikërisht tek ekipi i parë, ku të rinjtë nuk kanë gjetur edhe aq shumë hapësira. Pse po ndodh kjo ?
Ato janë zgjedhjet e trajnerit dhe gjithë futbollistët duhet ti respektojnë. Ne duhet të punojmë çdo ditë fort në stërvitje dhe të meritojmë aktivizimin.
-Do vijë momenti i Çobës së shpejti?
Unë shpresoj që po. Por siç e thashë ato janë zgjedhjet e trajnerit pasi çdo lojtar është gati të luajë për Vllazninë.
Endri ÇINARI
-Në fund do arrijë Vllaznia një fitore kundër Skënderbeut në fundjavë ?
Ekipi jonë ka synimet e qarta në këtë kampionat. Ne patjetër që hymë për fitore në çdo ndeshje, sidomos në Shkodër ku 3 pikëshi duhet të jetë “detyrë shtëpie”.