Vllaznia është një çështje e të gjithë shkodranëve dhe për më tepër e atyre që merren me futboll. Ish-zv/trajneri i skuadrës kuqeblu dhe tashmë tekniku aktual i Pogradecit, Samuel Nikaj, ka folur për disa tema rreth shkodranëve, por edhe për ekipin që drejton.

Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, specialisti që ngjit skuadrat në elitë deklaroi se është koshient që për ta marrë drejtimin e Vllaznisë duhet një CV shumë e pasur. Megjithatë, në karrierën e tij si trajner, Nikaj ka arritur të ngjisë në elitë tri skuadra. Fillimisht ngjiti Flamurtarin e Prishtinës, më pas Kastriotin e Krujës dhe Vushtrrinë në Superligën e Kosovës.

Në intervistën për “Shkodra Sport”, Nikaj u shpreh se emri i tij për trajner tek Vllaznia mund të jetë lakuar nga ana e drejtorit sportiv Elvis Plori, ndërsa zbuloi edhe të ardhmen e tij, e cila do të jetë sërish tek Pogradeci. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Nikaj, diçka për aventurën tuaj me Pogradecin, ku nuk ia arritët dot të përmbushnit synimet?

Ishte një sezon i vështirë. E pashë veten në një tokë të pashkelur, por bëmë një sezon të mirë pavarësisht se nuk u arrit objektivi, pasi u dogjëm për vetëm dy barazime më shumë se Elbasani, që ishte kundërshtari jonë dhe humbëm vetëm një ndeshje gjithë vitin, atë të play-offit të tretë kundër Burrelit.


-Çfarë nuk shkoi me Pogradecin profesor, duke marrë në konsideratë faktin se statistikat janë tepër pozitive?

Thjesht ishim të pafat, pasi të mos arrish objektivin me vetëm një humbje gjatë sezonit, të dhemb shumë. Kemi prodhuar lojë dhe spektakël. Kemi arritur shumë fitore tenistike, duke kënaqur tifozët tanë, por ajo që mbetet në fund është një zhgënjim që duhet gjetur forca që të kalohet me sportivitet.

-Po situatën aktuale te Vllaznia si e shihni, ku u vendos në krye të ekipit kuqeblu një trajner si Migen Memelli?

Unë i uroj suksese Memellit dhe iu bëj thirrje gjithë ambientit që ta përkrahin në punën e tij. T’i japin kohën e duhur, pastaj konkluzionet jepen në fund për punën e gjithë-secilit.

-Nikaj, ndër emrat e lakuar për trajner te Vllaznia nga opinioni sportiv dhe tifozëria, ishte edhe emri juaj, i kënaqur nga ky vlerësim që ka ambienti shkodran për ju?

Unë i falënderoj shumë të gjithë ato tifozë që përkrahnin emrin tim për trajner të Vllaznisë dhe nuk mërzitem as nga ndonjë koment negativ në lidhje me emrin tim. Unë më mirë se shumëkush e di madhështinë e Vllaznisë dhe jam koshient që për të qenë trajner i kësaj skuadre duhet një CV shumë e pasur. Unë po punoj ditë pas dite të pasuroj CV time dhe një ditë të jem edhe unë trajner i Vllaznisë.

-Keni patur kontakte realisht me drejtuesit e Vllaznisë gjatë kësaj periudhe për të marrë drejtimin e kuqebluve?

Nuk kam patur kontakte me drejtuesit e Vllaznisë asnjëherë gjatë këtyre tre viteve, por ndoshta ardhja e Plorit si drejtor sportiv, që më njeh mua dhe punën time shumë mirë, normalisht që e ka lakuar emrin tim tek drejtuesit dhe në të ardhmen, edhe mund të më kontaktojnë ndoshta.

-E fundit Nikaj për ta mbyllur, cila do të jetë e ardhmja juaj? Do të vijoni sërish si trajner i Pogradecit?

Të them të drejtën, e kisha ndarë mendjen të shkoja tek një nga skuadrat ku kam punuar dhe kam patur suksesin më të madh si trajner, por ikja ime në Pogradec për të përcjellur në banesën e fundit një koleg të nderuar si ish-trajneri i ndjerë, Festim Fetollari, ndërroi 360-gradë destinacionin tim, që me 99% do të jetë përsëri në Pogradec.
Maringlen ZHIVANI