Nga Endri ÇINARI

Basania arriti një fitore “jetike” në shifrat 1-0 kundër Naftëtarit në kuadër të javës së 20-të të Kategorisë së Dytë. Me këtë 3 pikësh bushatasit siguruan qëndrimin në ligë, duke iu shmangur edhe zonës “play out”. Për “Shkodra Sport” në një intervistë ka folur edhe autori i golit të fitores, Taulant Nikshiqi. Mbrojtësi tregon se ndeshja kishte një lloj tensioni sepse skuadra duhej medoemos të fitonte. Ndër të tjera ai thekson se sezonin tjetër do shihet një skuadër tjetër e ndërsa ka edhe një dedikim për këtë fitore.

-Nikshiqi, një fitore kundër Naftëtarit që iu siguron matemetikisht gjithçka, të kënaqur?


Jemi shumë të kënaqur dhe gëzuar për këtë sukses. Hoqëm një “siklet” që po na shoqëronte gjatë gjithë javës. Ku mendja qëndronte vetëm tek kjo ndeshje ku na duhej vetëm fitorja. Falë Zotit dhe çunave ia arritëm e tashmë mund të jemi të qetë dy javë nga fundi i kampionatit.

-Sa i vështirë ishte ky duel?


Dueli kishte një lloj “tensioni”, jo mes futbollistësh sepse ndeshja shkoi “fair play”, por tek ne. Duhej të gjenim golin shpejt dhe më pas të administronim. Pastaj edhe kushtet e motit dhe të fushës na e rënduan situatën. Sepse nuk bëhej më fjalë për futboll cilësor, por të shfrytëzoheshin rastet dhe episodet. Ku ne ishim më të saktë dhe merituam 3 pikët në fund.

-Kishit emocione tek penalltia?


Jo, isha goxha i qetë dhe doja ta godisja njësoj siç bëra me Gramshin. Gjeta krahun e duhur dhe isha i saktë, kjo për të ndihmua ekipin. I cili ishte mirë i vendosur në mbrojte sepse nëse do pësonim gol edhe penalltia e shënuar nga unë nuk do kishte aq vlera.

-Ndonjë dedikim për këtë gol dhe sukses?


Të gjithëve tek Basania, nga drejtuesit, futbollistët, punëtorët dhe tifozët. Kemi pasur një sezon të vështirë ndoshta edhe nga mos eksperienca në këtë ligë. Megjithatë besoj se kemi mësuar shumë dhe se çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen.

-Ishte një sezon me ulje dhe ngritje për Basanian apo jo?


Po, është e vërtetë sepse ekipi u nis dhe u përgatit për objektiva madhorë. Por futbolli nuk ka një formulë suksesi ekzakte dhe nuk është matematikë. Tashmë sezoni po mbyllet ku jemi të qetë, por sërish duam të luajmë futboll në dy ndeshjet që kanë ngelur. Sezoni i ardhshëm vjen shpejt dhe besoj se projekti Basania vijon dhe do ketë surpriza pozitive.(www.shkodrasport.com)