William Cungu ishte një nga shkodranët që bëri një lëvizje në këtë merkato verore. Pasi ishte pjesë e Vllaznisë U21 në sezonin që shkoi, mesfushori iu bashkua Vëllaznimit në Kosovë. Për “Shkodra Sport” ai flet për këtë eksperiencë të re në karrierën e tij. Ku e shikon si një lëvizje të duhur dhe që mund ti shërbejë shumë këtë sezon, por edhe ato në vijim.


-Cungu, eksperienca e parë si profesionist, je gati për të treguar vlerat e tua?

Jam shumë i lumtur për këtë lëvizje. Do jetë ekipi im i parë dhe jam gati për një sezon të fortë dhe të vështirë. Por unë do jem aty për të treguar vlerat e mia.


-Do luash me Vëllaznimin, një ekip me emër në Kosovë. Besoj se je krenar apo jo?

Vëllaznimi është një ndër ekipet më të mëdha në Kosovë. Këtu kanë luajtur më parë edhe figura shumë të njohura. Padyshim është një nder dhe privilegj për të veshur këtë fanellë.


-Do jetë kjo një nga skuadrat që do luftojë për ngjitjen në Superligë?

Kjo skuadër ka si objektiv kryesor ngjitjen në elitën e futbollit kosovar. Ky do jetë synimi kryesor për ne gjatë gjithë sezonit.


-E shikoni si një mundësi të mirë këtë kalim në futbollin kosovar?

Besoj se futbolli në Kosovë ka pasur një zhvillim të madh në vitet e fundit dhe është një nivel mjaft i mirë. Po ashtu një trampolinë e mirë për një karrierë në Europë.


-Një objektiv personal i Cungut ose një premtim ndaj tifozëve?

Objektivi personal është të marr sa më shumë minuta dhe të rritem sa më shumë si lojtar. Premtimi ndaj tifozëve është që do japim maksimumin në çdo ndeshje, për ta dërguar Vëllaznimin aty ku e takon, në Superligë.
Intervistoi: Endri ÇINARI