Nga Endri ÇINARI
U prezantua zyrtarisht ditën e sotme në rradhët e Shkëndijës së Tetovës. Fjala është për Aleksandër Trumçin, i cili la Bylis pas 4 sezonesh duke iu bashkuar kuqezinjëve. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, mbrojtësi tregon për këtë lëvizje. Ku shprehet i gatshëm dhe se ishte momenti i duhur për një kalim të tillë.
-Ishte ky momenti i duhur për Trumçi të bënte këtë hap?
Ishte momenti të cilin duhej ta shfrytëzoja sepse po kaloja formën më të mirë. Kam punuar shumë që të arrij këtu ku jam sot, një ekip i madh si Shkëndija. Ku shpresoj se do jap më të mirën e mundshme.
-Tani pjesë e Shkëndijës, një ekipi të madh në rajon. Besoj se presioni është më i lartë apo jo?
E vërtetë se presioni është më i lartë sepse është klub i madh dhe ka pritshmëri të mëdha. Unë do e vlerësoj besimin që më është dhënë dhe do ta shpërblej në fushë.
-Çfarë pret nga kjo aventurë?
Pres emocione të tjera që ndoshta si kam provuar deri më tani. Të rritem si futbollist e të plotësoj objektivat që ka klubi.
-Ndikoi marrëdhënia me trajnerin Beqiri për tu bashkuar me tetovarët?
Të them të drejtën kam punuar 1 sezon me profesor Beqirin tek Bylis ku u shpallëm edhe kampionë. Që aty ai krijoi simpati për mua dhe ku ai më kërkoi që në janar tek Shkëndija. E ky transferim u realizua tani.
-Një premtim i Trumçit?
Si fillim falenderoj ata që besuan tek unë. Premtimi është që do luaj me zemër dhe do jap maksimumin për këtë ekip e qytet që e do shumë futbollin. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në Europë fillimisht e po ashtu të jemi pretendentë për kampionatin.