Prej pak ditësh, drejtuesit e skuadrës së Teutës kanë nënshkruar me shkodranin Uhejd Hoxha, futbollist i cili në sezonin e fundit luajti me Vllazninë. Mesfushori ka firmosur me bregdetarët për të dhënë maksimumin dhe natyrisht të paraqitet sa më mirë.
Pas zyrtarizimit, vetë futbollisti shkodran u shpreh i lumtur për arritjen e marrëveshjes, teksa falënderon Teutën për mundësinë e dhënë për të treguar vlerat e tij në Abissnet Superiore. Hoxha u shpreh se te durrsakët i kanë bërë një pritje të ngrohtë, ndërsa theksoi se Edi Martini ka dhënë impaktin e tij, që ai të firmoste me Teutën.
“T’iu them të drejtën, nuk e mendoja se ekipi do të më priste kaq mirë, si futbollistët, si stafi më kanë bërë një pritje të ngrohtë.
Këtu te Teuta janë dhe dy shkodranë të tjerë që i kam shokë, Hebaj dhe Gruda. Kam folur me ta dhe më kanë folur mirë për ekipin. Edhe profesor Edi Martini ka impaktin e tij, që unë u binda të firmos te durrsakët. Poashtu, ambicia që ka ky klub, që kërkon të jetë më lart në renditje dhe të luajë në Europë. Gjithashtu, është një ekip që u jep mundësi djemve të rinj të tregojnë potencialin e tyre.
Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur të luaj për Teutën. Është një mundësi e mirë, pasi tashmë jam pjesë e një skuadre që beson te të rinjtë dhe jam shumë i lumtur. Kam pasur dy oferta nga Superiorja dhe nga Kosova, por Teuta është ekipi që mendova se do ta kem si trampolinë.
Synimet janë të jap maksimumin, duke zbatuar me përpikmëri detyrat e trajnerit Renato Arapi dhe stafit drejtues. Të japim me të mirën dhe të arrijmë objektivat e klubit. Objektiv personal është që të bëj një sezon sa më të mirë dhe t’u shpërblej besimin drejtuesve të Teutës. Mendoj që me ndihmën e Zotit, do t’ia arrij.
Ambjenti që kam gjetur këtu, siç e thashë, është shumë i mirë, pasi të gjithë shokët e skuadrës po më afrojnë. Ambjentimi me skuadrën nuk do jetë i vështirë, duke qenë se çunat po tregohen të mirë dhe besoj do t’i kem afër si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori shkodran i Teutës, Uhejd Hoxha.
Maringlen ZHIVANI