Interi i Simone Inzagit zhytet sërish në Ligën e Kampionëve pas barazimit ndaj Parmës në kampionat, me synimin për të vazhduar të ndjekë ëndrrën e trefishtë. Sot, në 21:00, kampionët e Italisë do të përballen me Bajernin e Mynihut në ndeshjen e parë çerekfinale dhe do ta bëjnë këtë me disa ide, të cilat trajneri zikaltër nuk ka ngurruar t’i tregojë edhe në konferencë për shtyp.
Çfarë ndeshje prisni?
Do të jetë një ndeshje e vështirë, kundër një ekipi shumë të fortë në një stadium të bukur e në një atmosferë të mrekullueshme. Por ne e dimë përpjekjen që kemi bërë për të arritur këtu dhe do të shfrytëzojmë shanset tona. Duhet të jemi të zotë në gjithçka.
Ashtu si Bajerni keni edhe ju mungesat tuaja?
Kemi disa lojtarë që ankojnë dhimbje, fundja si të gjitha skuadrat që luajnë kaq shumë. Por ne e dimë se cila është rruga jonë në Champions, pozicioni në kampionat dhe në Kupën e Italisë. Pas kësaj ndeshjeje do të kemi një ditë e gjysmë për të menduar për kampionatin, pastaj sërish Champions, pastaj kampionatin dhe Kupën e Italisë. Është një sezon i gjatë dhe intensiv, por jemi krenarë që jemi këtu.
Si është gjendja e ekipit?
Bastoni dhe Çalhanoglu u stërvitën me grupin. Dimarko bëri një seancë veçmas, ndërsa Lautaro është mirë dhe do të luajë ndaj Bajernit. E rikuperojmë Barelën pas skualifikimit, por nuk do të kemi Asllanin. Përballë kemi një Bajern me eksperiencë dhe që bën presion. Për më tepër ka përvojën që ka arritur në fund të këtij kompeticioni për shumë sezone. Gjithmonë më masakroni për zëvendësimet, por 4 nga 5 që bëra kundër Parmës ishin për shkak të dëmtimeve. Lautaro duhet të luante vetëm 45 minuta, Çalhanoglu kishte mbingarkesë. Kështu që nuk jemi as ne në moment të mirë si Bajerni. Duhet të tregojmë që jemi skuadër.
Jeni ju apo bavarezët favoritë?
Ata janë favoritët së bashku me Real Madridin, por ne duam të luajmë një ndeshje të madhe. E dimë se cila ka qenë rruga jonë. Në katër vitet që kam qenë tek Interi, nuk kemi bërë kurrë zgjedhje, duke i dhënë gjithmonë përparësi ndeshjes së radhës. E dimë se përfaqësojmë një klub të madh, ka një dëshirë të madhe për të luajtur këtë tremujor me një ekip shumë të fortë, por për të cilin duam të krijojmë probleme.