Pasi humbi ndeshjen e parë në kampionat me Interin kundër Leçes përpara publikut të tij në “San Siro”, Lautaro Martinez rrezikon që të mos jetë gati as për sfidën e ditës së premte kundër Atalantës.
Do të jetë ndeshja e dytë radhazi në shtëpi. Kapiteni zikaltër, që në fakt nuk ka dëmtime të rënda muskulore, por thjesht një zgjatje, edhe ditën e djeshme është stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe prezenca e tij për duelin me bergamaskët është në pikëpyetje.
Dyshimet do të zgjidhen në 2 ditët e ardhshme, kur mjekët dhe stafi teknik do të shohin se si është gjendja e kapitenit dhe pastaj do të marrin vendimin. Sigurisht që nuk do të duan ta rrezikojnë, sepse sezoni është i gjatë. Lautaro sakrifikoi në ndeshjen e parë duke luajtur pa shumë përgatitje dhe ndoshta kjo mund të ketë sjellë pasoja dhe bëri që të humbte ndeshjen e dytë të sezonit. Në rast se nuk ia del, atëherë trajneri do të zbresë sërish në fushën e lojës dyshen Turam-Taremi.
Lautaro do të rikthehet vetëm për sfidën kundër Monzës, pas ndalesës së kampionateve për kombëtaret. “Vendosëm që të mos e rrezikonim Lautaron dhe do të shohim ditë pas dite nëse do t’ia dalë për të premten”, ka thënë trajneri Inzagi të shtunën pas fitores me Leçen. Edhe ai vetë la hije dyshimi për prezencën e kapitenit në fushë.
Kundër Atalantës, trajneri do të ketë të gatshëm Stefan De Vrajin që rikuperohet nga një tërheqje muskulore. Dje ai kreu stërvitje me grupin dhe sot gjithashtu është parashikuar që të marrë ngarkesë të plotë dhe për t’u integruar plotësisht me skuadrën. Mirëpo duket se trajneri Simone Inzagi e bën gjumin të qetë, pikërisht për faktin se ka një organikë të plotë dhe me shumë futbollistë.
Taremi është një titullar i shtuar për skuadrën dhe menjëherë po jep efektet në fillimin e sezonit. Lajmi i mirë është edhe Piotr Zielinski, i cili prej disa ditësh po punon me ekipin dhe ishte gati që për duelin me Leçen. Trajneri Inzagi vendosi që të mos e rrezikonte. Kundër Atalantës mund të marrë minutat e para zyrtare me fanellën e kampionëve të Italisë.