Pritej që trajneri brazilian Ze Maria të mos ishte më në krye të skuadrës së Tiranës sot, por duket se ai ka marrë besimin e presidentit Refik Halili. Paraditen e sotme, mes brazilianit të stolit 24 herë kampion dhe presidentit Halili ka pasur edhe një takim.

Lojtarët e kishin “fjetur” mendjen, se në stërvitjen e pasdites do të kishin një trajner tjetër, por nuk ka ndodhur kështu. Një analizë me skuadrën për 2 orë e 30 minuta dhe më pas stërvitje si zakonisht.

Në një prononcim për “Topchanel”, trajneri brazilian i skuadrës së Tiranës, ka pohuar: “Shumë kërkonin që unë të largohesha, por kam folur gjatë me presidentin dhe jemi sqaruar. Kam kërkuar të dëgjoj nga lojtarët atë që mendonin, nga kapiteni e deri te më i fundit”.

“Unë nuk jam këtu për të humbur kohë dhe për t’u humbur kohë njerëzve. Nuk duam të na fyejnë, e as të fyejmë njeri. Folëm gjatë me presidentin dhe menduam që për momentin të vazhdojmë bashkëpunimin, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam shumë i kënaqur që qëndrova, pasi asnjëherë nuk e kam fshehur faktin që jam shumë mirë te Tirana”.

Por, nuk janë të pakët ata që mendojnë se qendrimi i Ze Marias lidhet me kontratën e tij dhe se i ka vënë kushte klubit. Lidhur me këtë çështje, braziliani më tej shton: “Më vjen keq që ka njerëz që mendojnë kështu.

Unë këtë verë kam refuzuar një kontratë shumë të majme dhe këtë klubi e di. Unë dua që të vijojë një projekt që e kam marrë përsipër dhe 5000 eurot që marr këtu nuk më ndryshojnë jetën”, – tha trajneri brazilian i skuadrës së Tiranës, Ze Maria./Vipsport/