
Peshëngritësi shkodran Isa Bala i ka dhënë pikët e duhura kombëtares shqiptare të peshëngritjes në mënyrë që ajo të renditej në vendin e katërt në renditje, në Kampionatin Europian që përfundoi ditën e djeshme në Tiranë. Bala ka qenë i fundit nga sportistët tanë që është ngjitur në pedanë duke konkurruar në peshën super të rëndë, +105 kg. Ai ka arritur të ngrejë 170 kg në shkëputje dhe 195 në shtytje. Me 365 kg në dygarësh, sportisti i Vllaznisë është renditur i dyti në baterinë B por ajo çka është më e rëndësishmja është se i ka dhënë pikët e duhura kombëtares shqiptare për të zënë vendin e katërt në renditjen ekipore. Pikërisht ky kushtëzim i marrjes së pikëve të nevojshme, në fakt e ka vënë para një stresi jo të vogël Balën. Këtë ai e thotë vetë teksa për gazetën online shkodrasport.com do të shprehej: “Duhej medoemos të mos dështoja në të dy stilet sepse duhej të renditesha për t’i dhënë pikët e duhura që kombëtarja jonë të zinte vendin e katërt në renditjen ekipore. Kjo gjë më vuri para një presioni jo të vogël megjithatë arrita të bëja atë çfarë më kërkuan dhe prandaj jam i kënaqur me këtë gjë. Natyrisht mundësitë ishin për më shumë dhe jam i vetëdijshëm për këtë megjithatë nganjëherë duhet të punosh edhe për ekipin”. Në këtë mënyrë, është mbyllur në mënyrën e duhur Kampionati Europian që u zhvillua për disa ditë me rradhë në Tiranë dhe Shqipëria është në vendin e katërt.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)