Një nga peshëngritësit më të mirë të vendit prej vitesh, natyrisht që është edhe shkodrani Isa Bala. Në fillim të muajit mars të këtij viti, në garat e kampionatit kombëtar që u zhvilluan në Elbasan, ai doli kampion në peshën super të rëndë +105 kg. Ky ka qenë titulli i nëntë kampion për të. Përveç këtyre titujve, ka shumë arritje edhe në fushën e rekordeve të thyera teksa ato që “mbajnë firmën” e tij janë me dhjetra. Bala do jetë pjesë e ekipit kombëtar të peshëngritjes që do marrë pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet muajin e ardhshëm në Turqi. I pyetur në lidhje me objektivat e tij, ai do shprehej: “Objektivi im në Europian është të renditem ndër 10 sportistët më të mirë të kontinentit në peshën time. Gëzoj një formë të mirë sportive dhe besoj se paraqitja në Turqi do jetë e mirë”. Por përveç Europianit, Isa Bala ka edhe një ëndërr të madhe: pjesmarrjen në Olimpiadën e Londrës në verën e këtij viti. E ka bërë publike këtë gjë duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com kur thotë: “Lista e sportistëve që do marrin pjesë në Olimpiadë do përcaktohet pas disa kohësh dhe deri atëherë unë sigurisht që do jem një nga pretendentët për të marrë pjesë në të. Do jetë një test kontrolli i sportistëve të ekipit kombëtar dhe ndër ta, unë kam besim se do paraqitem mirë për të qenë njëri prej pjesmarrësve në këtë eveniment shumë të rëndësishëm. Kjo është ëndrra ime dhe shpresoj të më bëhet realitet”. Pjestar i një familje sportive teksa babai i tij është trajneri i njohur i atletikës Isak Bala ndërsa vëllai i tij- Besniku ka qenë për disa vite me rradhë kampion po në atletikë, edhe Isaja nuk mund të ishte ndryshe përveçse një kampion.

www.shkodrasport.com