Dinamo do të luajë nesër ndeshjen e javës së 3-të të Abissnet Superiore. Blutë e kryeqytetit sfidojnë Teutën, kampionët në fuqi të Superligës me takimin që do të luhet në stadiumin e Egnatias në orën 13:45.
Sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Bledi Shkëmbi ishte edhe Alexander Isaevksi. Mbrojtësi i majtë foli për ndeshjen ndaj Teutës, por edhe për largimin e tij nga Vllaznia dhe firmën me blutë e kryeqytetit.
Sfida ndaj Teutës? “Teuta është skuadra kampione, por ne jemi një skuadër që duhet të futemi në fushë vetëm për të marrë 3 pikët. Shpresoj që në fund të jemi ne, skuadra që do të dalë me 3 pikë.
Ndeshja e Kupës dhe e kampionatit janë afër dhe nuk kishim kohë për t’u mërzitur. Kohën e kemi në disfavor, situata është e mirë dhe nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të japim më të mirën në fushë dhe të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë”.
Pse u larguat nga Vllaznia dhe zgjodhët Dinamon? “Sezonin e kaluar bëmë një sezon të mirë me Vllazninë. Nuk dua ta komentoj fare largimin nga Vllaznia, por dua të flas për Dinamon. Arsyet kryesore ishin projekti që drejtuesit kanë.
Çdo gjë po punohet në mënyrë profesionale dhe çdo gjë po shkon mirë dhe jam I lumtur. Shpresoj që atë që bëri Vllaznia sezonin e kaluar ta bëjmë këtë vit me Dinamon dhe unë të jap kontributin tim.
E njoh Todorovskin dhe është një minus I madh për Teutën që nuk do ta ketë në fushë. Futbollistët dhe kampionatin maqedonas nuk I njoh pasi tani njoh futbollin shqiptar e më pas rajonin”.