Nëse atletika shkodrane ka patur suksese të shumta pas viteve ’90, kryesisht në shpalljen disa herë kampion i ekipit të meshkujve, një meritë të madhe ka dhënë në arritjen e këtyre rezultateve edhe njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, pikërisht Isak Bala.

Nga puna e tij plot pasion e përkushtim, kanë dalë sportistë që jo vetëm kanë dalë kampionë në garat respektive por edhe kanë thyer rekorde. Sot, personi në fjalë, i detyruar ndoshta edhe nga rrethanat që u krijuan në klubin Vllaznia, ka hequr dorë nga trajnimi dhe ka nisur punën e gjyqtarit në këtë sport.

Po kush është në fakt Isak Bala? Ka lindur në Shkodër më 05.03.1945. sportin e atletikës e ka filluar që në vitin 1960 duke u stabilizuar tek gara e kërcimit së gjati, ajo e trehapëshit dhe e 110 m/ p. Trajneri i tij i parë fillimisht ka qenë Ibrahim Dizdari e më pas Gjon Canaj.

Karriera sportive e Isakut do të vazhdonte deri në vitin 1974 dhe rezultatet më të mira që ka arritur gjatë saj ka qenë kërcimi i 14.40 m në trehapësh dhe 6.82 në garën e kërcimit së gjati. Ka zënë vende të para në disa gara të ndryshme të zhvilluara në atë periudhë në vendin tonë.

Duke folur për karrierën e tij si sportist, Bala do të shprehej kështu për gazetën “Shkodra SPORT”: “Kam qenë në të njëjtin brez me emra të mëdhenj të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare.

Duke filluar nga i paarritshmi Hysni Bebeziqi, për të vazhduar me Vildan Tufin, Llesh Vuksanin (shtizë), Pjetër Çefën (shtizë), Rauf Karakaçin, rekordmen në 200 m, Isa Laçejn,  Asim Mujaxhi (10 garësh), Bashkim Paçrami (kërcim me shkop), Fahri Quku (400 m), Hivzi Kotrri (100, 200 dhe 400 m), Rasim Kraja, Teodor Leshova, Nazmi Kryeziu, Ismet Kryeziu, Ahmet Kryeziu, Sulejman Gragjevi (kërcim së larti), Nefail Kraja (shtizë) etj.

Kanë qenë vite që do të mbesin gjatë në mendjen time, ku përveç sukseseve dhe arritjeve sportive, do të mbahet mend edhe për harmoninë që ekzistonte në ekipin tonë”. Pas lënies së sportit, do të niste punën si trajner. Pikërisht në vitin 1976. Po atë vit do të merrte pjesë në disa gara edhe si gjyqtar.

Nga viti 1976 dhe deri më 2013, pra për plot 37 vjet, i ka dhënë jo pak klubit Vllaznia dhe atletikës shqiptare. Nga duart e tij kanë dalë thuajse të gjithë kampionët dhe rekordmenët e garave të shpejtësisë. Duke filluar nga Oltion Luli, Arben Makaj, Niko Laro, Sokol Shepeteja, Arben Parmeza, Alban Dani, Fatjon Serhati, Gentjan Shpuza, Besnik Bala, Edmir Dervishi dhe për të mbërritur deri tek dy të fundit, Ardit Rrashi dhe Durjon Idrizaj.

Në vitin 2000 bashkë me Oltion Lulin ka qenë pjesmarrës në Olimpiadën e Sidnejt në Australi. Gjatë kësaj periudhe, duke qenë pjesë e trajnerëve të Vllaznisë bashke me dy te medhenjte e tjere, Gezim Memen dhe Vildan Tufin, ka arritur të fitojë plot 16 tituj kampion me të si ekip.

Po ashtu, ka fituar edhe dy tituj kampion në kampionatet ekipore të zhvilluara gjatë këtyre viteve. “Mendoj se kam dhënë kontributin tim në klubin Vllaznia me punën e bërë dhe me atë çfarë kanë arritur sportistët e mi. Kuptohet që janë rezultatet ata që flasin vetë për çfarë i kemi dhënë këtij qyteti.

Emocionet kanë qenë të shumta gjatë këtyre viteve sepse janë plot 37 vjet që kam punuar si trajner, megjithatë nuk dua të veçoj asnjërin prej tyre. Një karrierë që besoj se ka brenda shumë gjëra të bukura dhe jam i kënaqur me të”- ka thënë Isaku.

Ai sot luan rolin e gjyqtarit kryesor- startier në të gjitha garat kombëtare të atletikës që zhvillohen në vendin tonë duke treguar se nuk mund të qëndrojë kollaj larg këtij sporti. Por familja Bala nuk ka patur vetëm atë protagonist.

Ka edhe dy djemtë e tij, Besnikun, një kampion dhe rekordmen në atletikë dhe Isanë, kampionë dhe rekordem në peshëngritje. Një familje kampionësh të vërtetë dhe kjo është ajo që i jep më shumë rëndësi triumfit të këtij personazhi në jetën e tij.
Gjergj KOLA