Vllaznia e viteve ’80 ka dhuruar brezin më të artë ndoshta në historinë e futbollit shkodran. Lojtarë të mëdhenj të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në çdo stadium të vendit por edhe jashtë tij. Pjesë e këtij brezi ka qenë edhe Isak Pashaj, mbrojtësi i majtë i kuqebluve të atij dhjetëvjeçari të ndritur. Pashaj prej 25 vitesh jeton në Belgjikë dhe në Shkodrën e tij të dashur ka ardhur rradhë.
E ka bërë një gjë të tillë ditët e fundit dhe padyshim që është kënaqur me familjarët, shokët dhe miqtë e tij. Por nga ana tjetër, është zhgënjyer për disa gjëra dhe atij nuk i vjen aspak mirë që Vllaznia e tij e dashur vuan. I vjen keq që Shkodra nuk ka një muze sportiv. Të gjitha këto, Isak Pashaj i ka rrëfyer në një intervistë për “Shkodra Sport”:
– Pashaj, i përkisni një brezi të artë sportistësh, atyre të viteve ’80. I lumtur që keni qenë pjesë e Vllaznisë së atyre viteve?
– Janë vite që nuk kthehen më kurrë, një brezi të artë që ka arritur gjithçka me mund, me djersë dhe pasion me kushte që brezi i sotëm nuk mund të arrijnë të imagjinojnë. Është vërtet një nostalgji për këtë periudhë që mbetet në memorie jo vetëm timen por të gjithë shkodranëve që kanë njekur futbollin. Të them të drejtën më vjen vertet keq kur shikoj Vllazninë në këtë gjendje të mjerueshme.
Fanella e vllaznisë ka qënë gjithnjë një ëndërr e imja dhe e shokëve të mi.Ishim një brez që nuk mund të rikthehet më dhe e gjitha kjo falë talentit që na karakterizonte, por pas gjithë këtyre kemi pasur dhe fatin e madh që të
stervitemi nga tranierë dhe njerëz model që janë pikërisht këto që i mungojnë Shkodrës sot.Talentet vazhdojnë të jenë kudo dhe kurdo,por janë pikërisht ky brez pesonalitetesh që mungojnë në Shkodër.Dhe mund ta them me plot krenari që i përkas një brezi të artë.
– Momenti më i lumtur ka qenë fitimi i Kupës së Republikës në vitin 1987?
– Kupa e Republikës së 1987 do të mbetet gjatë në memorien e ketij brezi,pa e ekzagjeruar pati një arritje të mahnitshme.Ishte një brez ku rezultatet e tyrë ende sot nuk mund të arrihen.Jam shumë i lumtur për çdo gjë që kam bërë për Vllazninë.Sigurisht ishte edhe meritë e talentin por pavarsisht kësaj jam munduar gjithnjë që të jap maksimumin tim.
Kur fillova futbollin me personalitetin më të madh për mua që nuk mund ta harroj asnjëherë profesor Ernest Halepjani isha vetëm 12 vjeç ëndrra ime ishtë të isha pjesë e kësaj skuadre,më pas ekipet kombëtare kanë ardhur si rrjedhojë e talentit, dëshirës, pasionit për këtë sport dhe shumë e shumë të tjera.Kur shikoj vllazninë në këtë gjendje të them të drejtën më vjen shumë keq.Kam 25 vite që jam larguar dhe kur e shikoj vllazninë nepermjet internetit.
– Ndërkohë Vllazninë e sotme e gjeni në momente jo të mira. Ju vjen keq për këtë?
Jo vetëm për mua, por për çdo shkodran, Vllaznia është një identitet dhe ta shikosh duke rënë në kategorinë e dytë dhe ta degragosh atë deri në këtë pikë, është një fatkeqësi. Ta veshin fanellën e Vllaznisë lojtarë të huaj, në një kohë që ajo është një fabrikë rentabël që prodhon në breza lojtarë cilësorë, kjo nuk shkon.
Por është ajo që thashë më lart se këtyre elementëve i mungon përpunimi, i mungojnë ato personalitetet që i rritën këto breza, i mungojnë ato trajnerë të mëdhenj.Vllaznia ka qenë gjithmonë viktimë e drejtuesve të saj. Mirë në atë kohë se ishte sistemi, po tash…
Unë mbaj mend diçka. Në një periudhë kohore trevjeçare 1984-87 u larguan 20 lojtarë të nivelit të lartë që dhanë shumë për Vllazninë dhe atyre nuk iu ba asnjë ceremoni. Kjo traditë negative vazhdon edhe sot. Klubi nuk duhet të drejtohet nga Bashkia se kjo nuk ndodh kërkund në Botë,sporti nuk duhet të politizohet.
– Një urim i Isak Pashajt për 100 vjetorin e Vllaznisë? Çfarë është ky përvjetor, çfarë është ky emër për ju?
– Të arrish në 100 vjetorin e Vllaznisë, ky është mundi dhe djersa e shumë sportistëve në breza. Dua ta lidh me diçka tjetër. Me ndihmën e një mikut tim, Zef Lorencit, bëra një vizitë në stadiumin e ri. Kisha dëshirë me e pa dhe konstatova kushte ideale, kushte që ne në fakt nuk i kemi imagjinuar kurrë.
Ngjitemi sipër dhe i them Zefit: Ku është muzeu? Ai qesh dhe më përgjigjet: Nuk ka muze! U habita se nuk e imagjonoja këtë gjë. Janë 100 vjet histori futbolli në Shkodër, për të cilin kanë sakrifiku breza të tanë. Si mund ta dinë brezat e sotëm se kush ka luajtur me Vllazninë, kur nuk ka asnjë pamje, asnjë foto? Pashë vetëm disa foto të ekipit kombëtar, po ç’punë ka kombëtarja në tempullin e futbollit të Vllaznisë?
Ai duhet të jetë tempulli i shkodranëve, aty duhet të jenë fotot e 100 viteve të historisë së famshme të Vllaznisë. Dikush ndoshta është i dhënë pas çmimeve, pas emërtimeve “legjendë” apo diçka tjetër dhe mesa duket, Shkodra është shndërruar në vendin e hipokrizisë. Asnjë titull, asnjë vlerësim nuk është asgjë para historisë, para fotove dhe të kaluarës.
Për të arritur tek ky emër i madh që sot ka 100 vjet, kanë luajt breza të tanë, që kanë përfaqësuar jo vetëm Vllazninë por edhe futbollin shqiptar. 100 vjetori nuk ka asnjë vlerë, pa muzeun e Vllaznisë. Kështu si po veprojmë, po humbim identitetin. Mu duk vetja se paskemi luajtur futboll kot sepse çdo gja është zhduk. Unë vetëm me ekipin tonë kam 11 ndeshje ndërkombëtare, por nuk gjeta asnjë foto. Të paktën të shihja veten. Jemi në një moshë që vërtetë nuk sheh lot tek unë, por më qan zemra kur e shoh Shkodrën kështu.
© shkodrasport.com