Amarildo Gjeci e mbylli pak kohë me arbitrimin. Ish gjyqtari ishte pjesë e futbollit shqiptar për rreth 13 vite, por para nisjes së sezonit të ri vendosi të largohej përgjithmonë. Pak ditë më parë ai bëri një status në rrjetet sociale, ndërsa dje në një intervistë për “Procesin Sportiv” bëri akuza të forta për Sokol Jarecin.

Gjeci u shpreh se arbitrimi shqiptar nuk do të bëjë kurrë përpara për aq kohë sa të jetë Jareci në rolin e Shefit të sektorit të arbitrimit. Gjithashtu, ish gjyqtari i bëri thirrje Prokurorisë të hapi telefonat e arbitrave e nëse hapen mund të jetë më keq se Calciopoli, skandali i ndeshjeve të trukuara në Itali.

“Ka vite që bëhen shumë padrejtësi në arbitrim, por kjo ishte dita që unë zgjodha të flas. Kur je në Shqipëri nuk mund të flasësh se ke shumë presione dhe shumë gjëra të tjera dhe njeriu nuk mund t’i përballojë dot. Arbitrimi shqiptar nuk do të eci përpara në Shqipëri për aq kohë sa të jetë sekretari që nuk dua t’ia përmend emrin si dhe Sokol Jareci. Ata marrin urdhëra dhe i zbatojnë duke iu thënë arbitrave që të bëjnë gjëra që nuk duhen bërë në fushën e lojës”.

Çfarë presioni keni pasur? “Presione ka nga më të ndryshme dhe i dërgojnë me palë të treta dhe nuk mund të flasësh kur je në Shqipëri. Faktet flasin vetë që në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu, ku Kukësi fitoi kampionatin apo edhe Partizani-Vllaznia sezonin e kaluar që ishte shumë fatale. Po ta keni vënë re te Partizani-Vllaznia nuk kishte VAR dhe u deshën 3 minuta për të dhënë vendimin e penalltisë. Mendoj se po të happen telefonat e gjyqtarëve ka shumë gjëra dhe ky është mendimi i shumë ish-kolegëve.

Nëse Prokuroria do të hapë telefonat do të shikojnë gjëra që do të jenë me keq se Calciopoli në Serie A italiane. Jam shumë i sigurt për këtë gjë, nuk është akuzë, por është diçka që unë e kam konstatuar me kohë. Sekretari është ai që e bën kampionatin dhe kjo është akuzë e drejtëpërdrejtë. Arbitrat nuk shkojnë me qejf në ndeshje, por janë të imponuar. Në momentin që kam folur ata më kanë hedhur nga Kategoria.

Mendoj se Sokol Jareci është më i keq nga të gjithë dhe bën kot kur del nëpër emisione dhe bën të ndershmin. Ai vetë ka dhënë penallti në një ndeshje Kastrioti-Flamurtari dhe pas hyrjes në fushë të presidentit e ka anulluar, këtë gjë e ka bërë vetëm ai. Arbitrimi nuk do të bëjë kurrë përpara për aq kohë sa do të jetë Sokol Jareci aty”, u shpreh Gjeci./newsport/