Ardian Ismajli zgjodhi që të përfaqësonte Kombëtaren e Shqipërisë, ndonëse ishte kapin i ekipit të 21-vjeçarëve të Kosovës. Mbrojtësi ka luajtur në dy takimet e fundit me Skocinë dhe me Uellsin, duke bërë paraqitje të mira si dhe duke dhënë besim se në të ardhmen do të jetë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën kuqezi.

Gjithsesi, i riu është vënë jo pak në shënjestër nga tifozët, të cilët shkojnë deri aty sa e konsiderojnë tradhtar që zgjodhi Shqipërinë para Kosovës. Në mbrojte të lojtarit kuqezi ka dalë ish-gjyqtari i njohur Sokol Çekaj. Ky i fundit u kujton historinë të gjithëve atyre që e kanë harruar, duke theksuar se Ismajli nuk e la Kosovën për Serbinë që ta akuzojnë për tradhti.

“Jam i habitur nga disa tifozë të Kosovës, që ofendojnë lojtarin kosovar që erdhi të luajë me Kombëtaren shqiptare. Vetëm një gjë dua t’ju them: A mos valle ky djalë tradhtoi Kosovën për Serbinë apo erdhi dhe po luan për flamurin e të parëve tanë?

Po ju përmend vetëm dy emra, të cilët në luftën e Kosovës dhanë jetën për Pavarësinë e saj dhe ishin nga kjo Shqipëri, ku erdhi dhe po luan ky djalë, edhe dhanë jetën për këtë flamur, atë me shqiponjën dy krenare për flamurin e bacës Isa Boletini e për flamurin e Ismail Qemalit.

I pari është komandant Shpendi, i quajtur Skerdilajd Llagami, tiransi trim që dha jetën për Kosovën tonë.

I dyti kavajasi trim Indrit Cara që dhe ky dha jetën për Kosovën e lirë e të pavarur.

Kështu që ju bëj thirrje mos ofendoni më lojtarë, a luajnë për Kosovën a për Shqipërinë, ato janë bij të shqipes dhe jemi një e rëndësishmja është të luajnë për këto dy skuadra”./sport-ekspres/