Në këtë kohë kaq të vështirë ku të gjithë janë të angazhaur për t’u përballur me këtë situatë kaq delikate, midis tyre është edhe Fiqiri Haxhiaj. Ish-arbitër futbolli për shumë vite, madje në elitën e arbitrimit shqiptar gjatë dy dekadave në vitete 80-90-të, sot vëzhgues i FSHF-së, Fiqiri Haxhiaj nga Tirana, i njohur edhe si një rrobaqepës, madje specialist në këtë fushë.

Sot, ndërsa koronavirusi, ka goditur mbarë botën, dhe kur rreziku i tij është evident, duke marrë mijëra jetë njerëzish, tashmë i pranishëm edhe në Shqipëri, Haxhiaj, ka lënë gjithçka dhe si mjeshtër në profesionin e tij, ka disa ditë që punishten e tij e ka kthyer në një repart për prodhimin e maskave të fytyrës. Shumë human, pa menduar për të ardhurat dhe përfitimet ekonomike, Haxhiaj thotë:

“Kam mbi një gjysmë shekulli që punoj si rrobaqepës dhe pikërisht në këtë moment kur u shfaq ky virus i rrezikshëm, mendova të kontribuoj sa më shumë të jetë e mundur. Ishte një ide që më lindi kur pashë që maskat ishin ndër mjetet më kryesore të mbrojtës. Më pas, kur konstatova edhe mungesën e tyre, mendova dhe gjykova që ta provoja të prodhoj maska mbrojtëse kundër këtij virusi.

Kam disa ditë, nga kur nisa këtë punë zgjohem në orën 2 të mëngjesit. Nuk është e lehtë, sepse janë disa procese të cilat i kryej bashkë dhe me ndihmën e familjarëve të mi. Ato janë ato janë krejtësisht me material pambuku, shumë praktike, funksionale, higjenike me disa lloje filtrash dhe që mund të lahen e të përdoren sërish. Kam porosi nga spitale, farmaci, individë, familje dhe kërkesat janë të shumta. I tregtoj me çmime të ulta dhe ato janë cilësore. I kërkojnë edhe të huaj, edhe nga ambasada.

Bëj kujdes që maskat të jenë estetike dhe kam disa modele, që i nxjerr me modelistë, pra nuk është i thjeshtë prodhimi tyre. Shumë miq, banorët e zonës por edhe miq sportistë e arbitra më kanë kërkuar maska. E kam të vështirë t’ua plotësoj kërkesat. Jam i angazhuar dhe punoj pa ndërprerje me dëshirën që maskat i mia t’u shërbejnë të gjithëve, me shpresën që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë të rëndë.

Nuk e kisha menduar kurrë që profesioni do më shërbente një ditë, pas kaq vitesh edhe për këtë proces të rrallë, në prodhimin e maskave, pikërisht në një moment kaq të vështirë, thotë Haxhiaj për “Panorama Sport”.