Ish-arbitri shkodran Astrit Dervishi është i mendimit se penalltia e dhënë në limitet e takimit, Portugali-Uruguaj, në favor të portugezëve, nuk ishte një 11-metërsh. Kështu, sipas tij, arbitri ka gabuar në këtë rast, pasi rregullorja thotë ndryshe.

Në një postim në profilin e tij personal në “Facebook”, Dervishi ka dhënë argumentet për rastin në fjalë, teksa ky opinion prej tij ka hapur një debat jo të vogël në komentet e këtij postimi.

“Arbitri gaboi në penalltinë kundër Uruguait. Mbrojtësi me nr. 2 bie natyralisht mbi top pa asnjë qëllim, çfarë ka të qëllimshme këtu, shiko pozicionin, po rrëzohet. Dënim i padrejtë në një kompeticion të tillë. Cili njeri në botë kur rrëzohet nuk përdor duart instiktivisht.

Qëllimi apo mosqëllimi nuk lidhet me pasojën. Këtu nuk kishim të bënim me një dorë që po ndalon një gol të sigurtë. Në futboll dënohet qëllimi, cilido qoftë ai.

VAR-I konsulton, por nuk vendos. Vendos absolutisht vetëm arbitri. VAR-I dërgon mesazh, shikoje. Ai rrëzim i mbrojtësit ishte i pavullnetshëm, i paqëllimshëm. Arbitri nga lodhja nuk u koncentrua në gjykimin perfekt të këtij rasti”,-shkruan ish-arbitri shkodran, Astrit Dervishi, në sqarimin e tij të postuar në profilin personal në “Facebook”.
Maringlen ZHIVANI