Ish-drejtori i Juventus, Fabio Paratiçi e mbylli aventurën me Juventusin, ndërsa pritet së shpejti të zyrtarizohet te Totenhem. Mirëpo, ende pa hedhur firmën në kontratë, drejtori ka nisur nga puna te londinezët. Paratiçi ka vënë në fokus menjëherë dy futbollistë të Juventus. Fjala është për Leonardo Bonuçin dhe Dejan Kulusevski.

Mbrojtësi nuk konsiderohet i pashitshëm nga Juventus, aq më tepër kur raporti i tij me Alegrin nuk ka qenë ndër më të mirët. Sakaq, në Angli, te Totenhem, Bonuçi do të përshtatej shpejtë duke qenë se ekipi londinez luan me tre në mbrojtje. Gjithsesi, nevojitet një ofertë e mirë për të bindur torinezët.

Ndërkohë, sa i përket Kulusevskit, ai ka vetëm një sezon te bardhezinjtë e këta të fundit janë të prirur t’i besojnë ende suedezit. Megjithatë, Kulusevski e ka të qartë se te Juventus do ta ketë të vështirë të luajë titullar e në këtë rast mund të joshet nga aventura në Premier League. /VipSport/